Elon Musk del hapur në mbështetje të kandidaturës së Marine Le Pen për presidente: Është shpresa e fundit e Francës

Jul 15, 2026 | 18:13

Elon Musk i ka dhënë një mbështetje të tërthortë lideres së së djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen, në prag të zgjedhjeve presidenciale vendimtare që do të mbahen vitin e ardhshëm në Francë.

elon musk marine le pen

“Ajo është shpresa e fundit e Francës“, shkroi Musk të mërkurën në platformën sociale X, në një postim që i referohej rezultateve pozitive të sondazheve për kandidaten presidenciale të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen.

Le Pen nisi zyrtarisht javën e kaluar kandidimin e saj të katërt për presidente, pasi një gjykatë apeli i dha të drejtën të garojë, pavarësisht se ishte shpallur fajtore për përvetësim fondesh të Parlamentit Europian. Ajo vijon t’i kundërshtojë këto akuza dhe e ka çuar çështjen për shqyrtim në një shkallë më të lartë gjyqësore.

Elon Musk, i cili është gjithashtu pronar i kompanive Tesla dhe SpaceX, ka komentuar vazhdimisht politikën europiane përmes rrjeteve sociale, duke shprehur mbështetje për parti dhe kandidatë të krahut të djathtë dhe të së djathtës ekstreme.

Në muajin maj, ai deklaroi se partia “Restore Britain” e Rupert Lowe ishte e vetmja forcë politike që mund të “shpëtonte Britaninë”, ndërsa në disa raste ka shpërndarë edhe postime të aktivistit britanik të së djathtës ekstreme, Tommy Robinson.

Sa i përket politikës franceze, deri më tani Musk nuk kishte shprehur mbështetje të hapur për ndonjë kandidat të caktuar.

Pas një takimi me presidentin Emmanuel Macron në vitin 2022, Musk deklaroi se ishte “i nderuar” që kishte biseduar me kreun e shtetit francez. Ai gjithashtu mbështeti vendimin e debatueshëm të Macron në vitin 2023 për rritjen e moshës minimale të pensionit në Francë, një reformë që Marine Le Pen ka premtuar se do ta shfuqizojë nëse vjen në pushtet.

Nga ana tjetër, marrëdhënia e Musk me Francën përfshin edhe një aspekt ligjor. Autoritetet franceze kanë hapur një hetim penal ndaj chatbot-it me inteligjencë artificiale Grok të platformës X, lidhur me përhapjen e imazheve “deepfake” me përmbajtje seksuale dhe përgjigje të mëparshme me përmbajtje antisemite.

Zyrat e X në Paris u kontrolluan nga policia në muajin shkurt, ndërsa në prill prokurorët francezë e thirrën Elon Musk për t’u marrë në pyetje, por ai nuk u paraqit.

© Panorama.al

Te lidhura