VIDEO/ Starmer jep lamtumirën në Parlament, kryeministri britanik përcillet me duartrokitje: Ky është fundi i rrugëtimit tim politik, jam krenar për gjithçka arrita

Jul 15, 2026 | 17:39

Kryeministri në largim i Britanisë së Madhe, Kier Starmer, ka zhvilluar sot paraqitjen e tij të fundit në seancën tradicionale “Pyetje drejtuar Kryeministrit” (PMQs) në Parlament, ku e cilësoi momentin si “fundin e rrugëtimit të tij politik”.

keir-starmer-mak

Starmer u shpreh para deputetëve se është “krenar për gjithçka që ka arritur” gjatë kohës në detyrë dhe falënderoi bashkëpunëtorët dhe stafin e tij për mbështetjen.

Seanca e fundit e PMQs, e cila zgjati rreth 50 minuta, u zhvillua në një atmosferë më të qetë se zakonisht. Në vend të përplasjeve të forta politike, deputetë nga të gjitha kampet politike i kushtuan fjalë vlerësimi kryeministrit në largim, duke ndarë kujtime dhe batuta.

Disa nga bashkëpunëtorët më të afërt të Starmerit u shfaqën të emocionuar, ndërsa ai falënderoi stafin e tij, duke thënë se ata ishin “të gatshëm të kalonin përmes zjarrit” për të.

Në momentin e largimit nga Dhoma e Komunave, Starmer u përcoll me duartrokitje në këmbë nga deputetët laburistë, por edhe nga një pjesë e opozitës. Në sallë ndodhej edhe familja e tij, ndërsa ministrja e Financave, Rachel Reeves, u shfaq veçanërisht e prekur.

Deputetja laburiste Caroline Harris deklaroi me lot në sy se “çdo ditë shohim dinjitetin dhe guximin e tij të shkëlqejnë”.

Kryeministri britanik pritet t’ia kalojë detyrën Andy Burnham të hënën, pasi ish-kryebashkiaku i Mançesterit të Madh të konfirmohet si lideri i ri i Partisë Laburiste në konferencën e posaçme të partisë.

Liderja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, nuk zgjodhi një përballje të ashpër me bilancin e Starmerit, por vlerësoi qëndrimin e tij ndaj Ukrainës dhe marrëdhënien me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Megjithatë, ajo kritikoi Partinë Laburiste dhe mungesën e pasardhësit të Starmerit në këtë seancë, duke e akuzuar atë se po shmang përballjen në Parlament.

Ndërkohë, lideri i Liberal Demokratëve, Ed Davey, e cilësoi Starmerin “një patriot të vërtetë”, duke theksuar se ai kishte bashkëpunuar me deputetë nga të gjitha partitë.

Gjatë fjalës së tij, Starmer iu drejtua edhe të ftuarve të tij në galeritë e Parlamentit, mes të cilëve ishin persona që kishte njohur gjatë qëndrimit në Downing Street.

“Për të gjithë ata që ndodhen në galeri dhe jeta e të cilëve ka ndryshuar ose është përmirësuar falë kësaj qeverie laburiste, por edhe për të gjithë ata në vend që përpiqen të dëgjohen apo të bëhen të dukshëm, ju jeni arsyeja pse hyra në politikë”, tha Starmer.

Pavarësisht largimit pas presioneve nga brenda partisë së tij, vetëm dy vite pas fitores së madhe elektorale të laburistëve, ai u prit me duartrokitje të ngrohta nga grupi parlamentar i Partisë Laburiste.

© Panorama.al

Te lidhura