Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka propozuar sot kreun e kompanisë shtetërore të energjisë Naftogaz për postin e kryeministrit të ri të vendit, ndërsa nuk ka dhënë një përgjigje të qartë për të ardhmen e ministrit të Mbrojtjes, në një moment kritik të luftës.
Zelensky shkarkoi këtë javë kryeministren Yulia Svyrydenko, saktësisht një vit pasi ajo mori detyrën. Parlamenti ukrainas miratoi dje dorëheqjen e saj dhe pritet të votojë për pasuesin e saj të enjten.
Presidenti ukrainas ka dhënë pak shpjegime për këtë vendim, përveç deklaratës se synimi i tij është rinovimi i udhëheqjes së vendit.
Duke folur për gazetarët në Kiev, Zelensky tha se drejtori ekzekutiv i kompanisë shtetërore të energjisë Naftogaz, Serhii Koretskyi, është kandidati më i përshtatshëm për postin e kryeministrit, pasi prioriteti kryesor i Ukrainës është përgatitja për dimrin e ardhshëm.
“Prioritetet janë të qarta, përgatitja për dimrin”, deklaroi Zelensky. “Prandaj, pas të gjitha konsultimeve, Serhii Koretskyi është padyshim kandidati më i përshtatshëm për postin e kryeministrit të Ukrainës.”
Kryeministri në Ukrainë emërohet nga parlamenti dhe pritet që kandidatura e propozuar nga Zelensky të miratohet, pasi partia e tij ka shumicën parlamentare.
Dorëheqja e kryeministrit sjell automatikisht edhe largimin e të gjithë kabinetit qeveritar, çka nënkupton se pritet një riformatim më i gjerë i qeverisë.
Vëmendja është përqendruar veçanërisht te e ardhmja e ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, në një periudhë kur balanca e forcave në fushën e betejës është zhvendosur në favor të Ukrainës, ndërsa vendi po zhvillon një fushatë sulmesh me dronë me rreze të gjatë kundër Rusisë.
Fedorov, 35 vjeç, i njohur si mbështetës i inovacioneve teknologjike, nuk vjen nga strukturat tradicionale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe e mori këtë detyrë vetëm gjashtë muaj më parë.
I pyetur nëse Fedorov do të ruajë postin e ministrit të Mbrojtjes në kabinetin e ri, Zelensky tha se do të takohet me të dhe me drejtuesit e ushtrisë më vonë gjatë ditës, përpara një takimi të planifikuar me deputetët e partisë në pushtet.
© Panorama.al












