Në fund do ngelesh me ne

Feb 7, 2026 | 7:42

evasinanajEVA SINANAJ

Dëshirë e madhe për të cekur pak në çdo sektor, për ta parë e bërë Shqipërinë të lulëzojë. Fillimisht duket se ka pasur frikë të ecë i vetëm dhe ka vazhduar me të vetët me detyrën më të madhe. Rrugës i janë bashkuar dhe i kanë ofruar të tjerë, prapë nga të vetët. Shqipëria nuk bëhet me të “tutë” — ata të përkëdhelurit, lëpirësit, frikacakët dhe ushtarët. Ajo bëhet me ne: popullin, profesionistin e pakompromis dhe jo militantin që herë ndizet e herë shuhet.

MERITOKRACIA MBI SERVILIZMIN

Të parit nuk i duhen servilë apo njerëz të besuar. Për çfarë? Mjafton të respektohet ligji dhe çdo punë të bëhet pa njohje. Kur futet kjo e fundit në lojë, prishen ekuilibrat socialë dhe meritokracia vdes pa lindur fare. Eksperimentet sociale në politikë nuk rekomandohen — kostoja është kaq e madhe sa brezat as i shlyejnë e as i zhbëjnë dot.

KOSTOT SOCIALE DHE POLITIKE

Kur politika lë pas gjurmë të privilegjeve, profesionisti është ai që e mban ekuilibrin dhe e ndihmon shoqërinë të ecë përpara. Në peshoren sociale, kostot ecin përpara, ndërsa në atë politike, “të tutë” nuk janë më të përfshirë. Pasi volën dhe molën mendojnë të ndryshojnë diçka brenda sistemit (të ndrojnë çobanin brenda stanit), ndërsa të besuarit e pa besë ikin e vijnë. Ai ngelet prapë me ne — me ne që nuk ishim të vetët, por ishim Shqipëria.

PROFESIONISTI MBI NGJYRËN POLITIKE

Në fundin pa fund modelet sociale kërkojnë çfarë? Një model të ri që, megjithatë, është i vjetër — prapë militantin? E vërteta: ecet vetëm nëse kërkojmë profesionistin dhe jo ngjyrën politike. Ecet vetëm nëse shembet institucioni i mikut dhe burgu i pavlerë fizik na jep atë që i takon popullit. Shteti, kur do, e gjen gjilpërën tek kashta. Shoqëria ka nevojë më shumë për rikthim të dinjitetit sesa për besim ose pasuri. Nëse nuk i jepet, ajo do ta marrë me një formë ose tjetër.

REFLEKTIM SOCIOLOGJIK

Nuk e di nëse do ta japin ta lexosh sot, ata të tutë, këtë shkrim sociologjik. Por ai do të mbërrijë tek ti — nëse jo si tekst, atëherë si koncept, pak më vonë. Modelet politike shpesh ecin me të shkuarën ose me inercinë, ndërsa kushtet sociale janë pjekur ndryshe: falë gabimtarëve. Pikërisht falë tyre, shoqëritë kanë mësuar, janë korrigjuar dhe kanë ecur përpara. Kështu kanë ecur edhe vendet e Europës — jo nga përsosmëria, por nga përballja me gabimin dhe pasojat e tij.

INDINJATA E REALITETIT

Indinjata është e natyrshme kur sheh privilegjin e një individi të sistemit që nuk të do më dhe pret të bjerë një sistem që i dha jo vetëm bukë, por edhe privilegje sepse ishte i biri ose e bija e filanit. Në jetimet sociale duhet të durojmë edhe këto absurditete, përveç atyre që prekin lëkurën tonë çdo ditë. Në fund, të tutë ikin me sistemin dhe treten bashkë me privilegjin. Qëndron ajo që nuk u përkul, nuk u ble dhe nuk u shërbeu rretheve. Qëndrojmë këtu — duke e duruar padrejtësinë pa e bërë zakon dhe duke e dashur vendin pa e përdorur si justifikim. Dhe ky qëndrim ka një emër: Shqipëri.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura