Ndahet nga jeta piktori Agim Zajmi

Nov 4, 2013 | 13:59

Piktori Agim Zajmi
U nda nga jeta në moshën 77-vjeçare piktori dhe skenografi Agim Zajmi. Me një jetë shumë aktive artistike dhe akademike, Zajmi ka lënë pas një pasuri të jashtëzakonshme në pikturë, por edhe në artin skenik. Zajmi lindi në Tiranë në vitin 1936, studioi Pikturë dhe Skenografi në San Petersburg, Rusi, ku u diplomua më 1961-shin. Pas diplomimit filloi punën si skenograf në Teatrin e Operës dhe Baletit, por më vonë punon kryesisht në Teatrin Kombëtar. Prej vitit 1978 ka qenë profesor në Akademinë e Arteve të Tiranës. Përgjatë gjithë jetës së tij artistike, i ndërthuri pedagogjinë me një angazhim aktiv përmes ekspozitash, qofshin këto personale apo në grup. Përveç ekspozitave në Galerinë Kombëtare të Arteve ka ekspozuar në Francë, Itali, Angli, Greqi, Turqi, Austri, Egjipt, etj. Një pjesë e këtyre veprave ruhen në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, si dhe koleksione private në vende të ndryshme të botës. Një pjesë e mirë e punëve të tij trajtojnë temat epiko-historike, që nga kryengritjet e Kosovës, te motivet e huazuara nga legjendat dhe baladat shqiptare, si nga cikli i Mujit dhe Halilit, i Zanave, Balada e Murimit etj., ka lëvruar edhe gjininë e portretit, sidomos atë të malësorit apo të gruas shqiptare. Si skenograf ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare të teatrit. Ka realizuar skenografitë e shumë veprave operistike dhe teatrore, si “Lumi i vdekur”, “Kostandini dhe Doruntina”, “Shehrazadja”, “Filumena Marturano”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” etj. Është fitues i shumë çmimeve kombëtare në pikturë dhe skenografi. Në vitin 1975 iu dha titulli “Artist i Merituar”, në 1991-shin u nderua me titullin “Piktor i Popullit”, ndërsa më 1995-n iu dha titulli profesor. Ceremonia e lamtumirës për piktorin do të zhvillohet sot në orën 12:00, në Universitetin e Arteve.  

© Panorama.al

Te lidhura