Mineralet kritike dhe roli qendror i Italisë

Feb 9, 2026 | 8:45

valbona zeneliDR.VALBONA ZENELI

Siguria ekonomike tashmë është siguri kombëtare. Sot, udhëheqja teknologjike varet nga aftësia për të mbrojtur dhe formësuar zinxhirët e vlerës së mineraleve kritike, të domosdoshme për mbrojtjen, tranzicionin energjetik dhe industritë e avancuara. Duke dëshmuar një ndjenjë urgjence në rritje, Samiti për Mineralet Kritike i mbajtur javën e kaluar në Washington, i thirrur nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, shënon një moment kyç: këto materiale janë tashmë një shtyllë e strategjisë gjeopolitike perëndimore.

Në këtë kontekst, Italia ka siguruar një rol të dorës së parë, ku ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, ishte i vetmi europian që mbajti në sesionin hapës. Kjo nuk është thjesht çështje dukshmërie diplomatike. Roli i spikatur i Italisë forcon koordinimin transatlantik në një fazë tensionesh dhe mosbesimi, dhe e vendos Romen në qendër të një përballjeje vendimtare për konkurrueshmërinë industriale, autonominë strategjike dhe peshën gjeopolitike të perëndimit.

I hapur nga Zëvendëspresidenti J. D. Vance, samiti sinjalizon një ndryshim strategjik: mineralet kritike nuk janë më thjesht një çështje teknike furnizimi, por një shtyllë qendrore e politikës industriale ndërkombëtare. Ky takim krijon një bazë të fortë për aleanca të reja, që synojnë uljen e rreziqeve të lidhura me varësinë nga Kina.

Pas një viti marrëdhëniesh transatlantike të tensionuara, samiti ofron mundësinë për të rindërtuar kohezionin perëndimor rreth sfidave dhe interesave të përbashkëta. Nga mbrojtja tek energjia e pastër dhe prodhimi i avancuar, udhëheqja teknologjike tani varen nga zinxhirë furnizimi elastikë, të diversifikuar dhe politikisht të besueshëm.

RREZIKU MBI ÇMIMET

Propozimi i këtij samiti ishte një marrëveshje tregtare preferenciale mes vendeve aleate për mineralet kritike, me pragje çmimesh të koordinuara për të ulur dominimin kinez. Qëllimi është tërheqja e investimeve private në nxjerrje dhe përpunim, sektorë që sot janë pak konkurrues përballë kostove të ulëta kineze, si dhe riorganizimi i zinxhirëve të furnizimit për sektorë kyç si automjetet elektrike, gjysmëpërçuesit dhe mbrojtja.

Megjithatë, këto masa mund të rrisin kostot në afat të shkurtër dhe të shtojë tensionet me Pekinin. Kjo çështje ka qenë prej kohësh e rëndësishme për Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, i cili në kohën e tij si senator, në vitin 2024 së bashku me senatorin Mark Warner, kishte promovuar nisma dypartiake për forcimin e zinxhirëve kombëtarë të furnizimit, duke paralajmëruar për rreziqet strategjike që lidhen me varësinë nga Kina, si edhe rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët.

Kina dominon prodhimin dhe përpunimin global të mineraleve kritike, duke kontrolluar furnizimin e 19 nga 20 materialet strategjike kryesore dhe duke mbajtur një pjesë mesatare tregu në rafinim prej rreth 70%, sipas të dhënave të Bankës Eksport-Import Amerikane. Kjo përfshin edhe mbi 60% të nxjerrjes globale të tokave të rralla dhe më shumë se 85% të kapacitetit të përpunimit, duke i dhënë Kinës një ndikim të konsiderueshëm mbi kushtet e tregut dhe duke e kthyer varësinë industriale në një levë gjeopolitike. Dominimi strukturor kinez forcohet nga subvencionet shtetërore, kontrollet e eksporteve dhe ndërhyrjet në treg, të cilat i mundësojnë të shkaktojë ndërprerje të furnizimit dhe luhatshmëri çmimesh.

Samiti i Washingtonit është në përputhje me “Pax Silica”, nismën e nisur në dhjetor 2025 për të mbrojtur zinxhirët e furnizimit të Inteligjencës Artificiale, gjysmëpërçuesve dhe mineraleve kritike. Ai shënon kalimin nga një menaxhim pasiv i ndërvarësisë në një ndërhyrje të drejtpërdrejtë mbi zinxhirët e vlerës së mineraleve kritike përmes financimeve publike, marrëveshjeve afatgjata të blerjes dhe koordinimit mes aleatëve, të përforcuara nga programe të rezervave strategjike. Këto nisma mbështeten edhe nga përpjekje të reja për depozitimin strategjik, si Project Vault. Në këtë mënyrë, strategjia integron sigurinë e furnizimeve në politikën e jashtme ekonomike amerikane, me një rol kyç të Bankës Eksport-Import Amerikane, e cila pak ditë më parë ka akorduar 10 miliardë dollarë për krijimin e një Rezerve Strategjike të Mineraleve Kritike.

Për të arritur këto objektiva, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për koordinim me Bashkimin Europian dhe aleatë të tjerë për të krijuar zinxhirë furnizimi alternativë ndaj Kinës që të jenë të qëndrueshëm dhe strategjikisht të fortë. Ndërkohë, BE-ja përpiqet të ulë rreziqet përmes diversifikimit dhe riciklimit me Ligjin e Lëndëve të Para Kritike, por përparimi është i ngadaltë dhe varësia nga Kina, sidomos për tokat e rralla dhe magnetet e përhershëm, mbetet e lartë. Nga 26 mineralet prioritare, 10 varen plotësisht nga importet dhe asnjë nga 17 elementet e tokave të rralla nuk nxirret brenda BE-së, sipas një raporti të fundit të Gjykatës Europiane. Pa qasje të sigurt në lëndët e para kritike, konkurrueshmëria, tranzicioni i gjelbër dhe autonomia strategjike europiane do të mbeten objektiva të vështirë për t’u arritur, siç theksohet edhe në raportin e Mario Draghit për konkurrueshmërine europiane.

Për Italinë, ekonomia e dytë prodhuese në Europë dhe e katërta në botë, zinxhirët e sigurt të furnizimit me minerale kritike janë jetikë për energjinë, sektorin digjital dhe mbrojtjen. Në prag të këtij takimi, Italia dhe Gjermania i kanë kërkuar Komisionit Europian të përshpejtojë uljen e varësive strategjike. Piano Mattei e lidh këtë prioritet me politikën afrikane, duke synuar të forcojë rolin gjeopolitik të Italisë në zinxhirët e furnizimit me lëndë të para dhe ta pozicionojë vendin si partner politik, korridor tranziti dhe portë industriale për burimet afrikane.

KOORDINIMI INDUSTRIAL

Vetëm një pakt transatlantik më i thellë mund ta shndërrojë de-risking-un në koordinim të vërtetë industrial, me vlerësime të përbashkëta të rreziqeve, politika të harmonizuara dhe rezerva të përbashkëta. Ndërkohë, më shumë kapacitet evropian për përpunim dhe sidomos për riciklim do të ndihmonte në uljen graduale të varësisë nga jashtë. Megjithatë, këto objektiva duhet të mbështeten nga financime publike në të dyja anët e Atlantikut. Suksesi varet nga aftësia për ta lidhur sigurinë ekonomike me strategjinë industriale dhe me politikën e aleancave, duke hapur rrugën edhe për zgjidhjen e çështjeve të tjera të hapura në marrëdhëniet transatlantike/Marrë nga gazeta “Il Messaggero”

* Autorja është eksperte e lartë e Atlantic Council dhe anëtare e bordit këshillimor të Decode39

/Gazeta Panorama

 

© Panorama.al

Te lidhura