Kryetari i Partisë Republikane, deputeti Fatmir Mediu nga Brukseli ku ndodhet në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, shkruan se, ka kërkuar një angazhim më të madh të Aleancës së Atlantikut Verior në rajonin e Ballkanit.
Mediu është shprehur se duhet të ndërtohen kapacitete operacionale të përbashkëta ushtarake në rajon, si edhe mundësi për zhvillimin dhe bashkëpunimin me industritë ushtarake të SHBA-së.
Ai gjithashtu u takua edhe me Giuseppe Cavo Dragone, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, i cili theksoi rëndësinë që NATO duhet të veprojë si garant i sigurisë, në shërbim të Europës dhe Amerikës.
“Gjatë fjalës sime kërkova një angazhim të NATO-s në Ballkan, për të ndihmuar në bashkëpunimin e vendeve të NATO-s në rajon, përfshirë edhe Kosovën, për prokurime të përbashkëta dhe ndërtimin e kapaciteteve operacionale ushtarake në Ballkan, si dhe mundësi për zhvillimin dhe bashkëpunimin me industritë ushtarake të SHBA-së.”, u shpreh Mediu.
Mesazhi i kryetarit të PR, Fatmir Mediu:
Bruksel. Asambleja Parlamentare e NATO-s.
Admirali Giuseppe Cavo Dragone, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, theksoi rëndësinë që NATO duhet të veprojë si garant i sigurisë, në shërbim të Europës dhe Amerikës. Është koha, theksoi ai, që “Europe should stand up, America should stay in”; së bashku të forcojmë kapacitetet mbrojtëse, deterencën ushtarake dhe forcën gjeopolitike të Aleancës.
Gjatë fjalës sime kërkova një angazhim të NATO-s në Ballkan, për të ndihmuar në bashkëpunimin e vendeve të NATO-s në rajon, përfshirë edhe Kosovën, për prokurime të përbashkëta dhe ndërtimin e kapaciteteve operacionale ushtarake në Ballkan, si dhe mundësi për zhvillimin dhe bashkëpunimin me industritë ushtarake të SHBA-së.
Më tej bisedova me Admiralin Dragone për rolin që mund të luajë Italia në bashkëpunimin ushtarak në Ballkan, duke vlerësuar dhe falënderuar mbështetjen e madhe që ka dhënë Italia gjatë anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.















