Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për gazetarin Elio Laze, ndaj të cilit rëndojnë dyshimet për gjobëvënie.
Nga hetimet rezultoi se Laze i kishte kërkuar shumën prej 40 mijë euro zyrtarit Klaus Shaqiri për t’i fshirë lajme nga portali që drejton, Priza.al.
Pas denoncimit të zyrtarit, policia arrestoi Lazen dhe gjeti në zyrën e tij shumën prej 5 mijë eurosh.
Në dëshminë e tij, Laze ka pretenduar se “personi ka lënë një zarf nuk e di ca kishte brenda”.
Gazetari 37-vjeçar akuzohet për veprat penale, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.
“Shantazhoi një punonjës të administratës publike, për t’i marrë 5000 euro, që të fshinte nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të, arrestohet 37-vjeçari. I arrestuari, me precedent për armëmbajtje pa leje. Sekuestrohen shuma e eurove dhe 4 celularë”, thuhej në njoftimin e policisë.
© Panorama.al












