Lamtumirë Agim Zajmit, ideatorit të skenografisë moderne

Nov 5, 2013 | 13:43

U përcoll dje në banesën e fundit piktori dhe skenografi, homazhet në Universitetin e Arteve.

Muntaz Dhrami: Dashuria e madhe e tij, Kosova, e trajtoi në pikturë.

Autori i dhjetëra skenografive në opera dhe teatër, nënshkruesi i qindra pikturave, Agim Zajmi, u përcoll dje për në banesën e fundit. Në hollin e Universitetit të Arteve, ku ai dha mësim prej vitit 1978, u mbajtën homazhet në nder të “Piktorit të Popullit”, i cili u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare. Miq, të afërm, kolegë e studentë, i dhanë lamtumirën e fundit. Një tufë me lule edhe nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila nderoi artistin në këtë takim të fundit. Të gjithë kanë diçka për të kujtuar, nga një jetë e gjatë artistike së bashku. Disa e kujtojnë që nga koha e Liceut, të tjerë nga studimet në Leningrad, nga bashkëpunimet e para. Regjisori dhe dramaturgu Mihal Luarasi kujton bashkëpunimin e parë me Zajmin, për realizimin e operës “Karmen”, kur sapo ishte kthyer nga Leningradi. “Është humbje e madhe, sepse Agimi është një nga themeluesit e skenografisë moderne shqiptare. Ishim shokë të vjetër, që në Liceun Artistik, madje edhe në Leningrad kemi studiuar bashkë. Duke punuar së bashku në Fakultetin e Arteve Figurative, ajo miqësi fillestare u forcua edhe më tepër, sepse u bëmë bashkëmoshatarë edhe në krijimtari. Krijimtaria e tij është shumë e pasur në gjininë e kompozimit, në gjininë e portretit dhe me shumë dashuri Agimi trajtoi temën që e kishte aq për zemër, temën e Kosovës. Në skenografi ai ka lënë gjurmë të fuqishme. Publiku i ka parë dhe i ka vlerësuar ato. Është një humbje e ndjeshme për ne dhe familjen e tij, por ngushëllohemi me faktin që veprat e tij janë në skenat tona, janë në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe shumë galeri të qyteteve apo në koleksione jashtë vendit”, thotë skulptori Muntaz Dhrami. Sipas tij, Zajmi në çdo gjini që trajtoi ishte i suksesshëm, por ai do të veçonte atë që kishte më për zemër, Kosovën. “Ka shumë kompozime që ai ia ka kushtuar temës së Kosovës. Si me origjinë nga Kosova, ishte e natyrshme lidhja e tij më të, por gjithashtu ai ka trajtuar edhe portretin e malësorëve, të nuseve të Kosovës, pra një diapazon i gjerë”, thotë Dhrami.
Krijimtaria e Agim Zajmit shtrihet në një hapësirë kohore 40- vjeçare, ku numërohen realizimet e rreth 250 skenografive në teatrot e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë dhe me rreth 3000 kostume. Ka realizuar skenografitë e veprave operistike dhe teatrore, si “Lumi i vdekur”, “Kostandini dhe Doruntina”, “Sheherezadja”, “Filumena Marturano”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” etj. Një vend të veçantë në krijimtarinë e tij zinte piktura, e shpërndarë nëpër koleksione private. Ndër to 37 vepra janë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve.

© Panorama.al

Te lidhura