“Kur ishte në Parlament, s’më ka kursyer asgjë”- Kryeministri Rama sfidon Dashnor Sulën: Tani të shohim si do ta bëjë detyrën, ne nuk na ka lënë gjë pa thënë

Feb 13, 2026 | 11:42

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Kryeinspektorin e Përgjithshëm, ish-deputetin e PD, Dashnor Sula për të folur fazën e re të reformës së sistemit të inspektimeve.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë vlerësoi formimin juridik të ish deputetit demokrat, Dashnor Sula, por i kujtoi atij edhe përplasjet në Parlament.

Rama kishte një sfidë personale, por serioze për Dashnor Sulën, duke i thënë “të shohim si do ti bëjë punët, për të cilat nuk ka lënë gjë pa thënë në Parlament”.

“Dua të them dy fjalë për faktin që Kryeinspektori vjen nga një pjesë e karrierës, e cila ka qenë politike, por më parë ka qenë një protagonist në sistemin e mëparshëm të drejtësisë, ka gjithë formimin e nevojshëm për të ndjekur këtë punë pasi formimi juridik në këtë rast është shumë i rëndësishëm, por ka dhe sfidën që gjithë ato që i ka thënë Blerinës në parlament tani bashkë me Blerinën dhe bashkë me të tjerët t’i adresojë.

Jemi vend shumë i vogël ne për t’u ndarë në shumë pjesë dhe kur vjen puna tek politika ndarja është e natyrshme se jetojmë në një sistem demokratik, por kur vjen puna tek shteti, kur vjen puna tek objektivat e përbashkët për aq kohë sa na jepet mundësia, mirë është që të përpiqemi së bashku.

Tani, kjo është në një fare mënyre sfide personale se dhe mua nuk më ka kursyer zotëria kur kam qenë në parlament. Tani ta shohim sesi i bën gjërat për të cilat nuk na ka lënë gjë pa thënë ne që nuk i bënim ashtu si duhet dhe këtë e them me shumë sinqeritet, pa asnjë ironi.

Realisht të kalosh nga teoria tek praktika e punës, është njësoj si të kalosh nga poezia tek romani. Është një tjetër histori komplet. Gjithsesi, disa gjëra duhet t’ia vëmë vetes detyrë dhe t’i bëjmë”, tha Rama.

Me tej kryeministri deklaroi: “Nuk bën sens që inspektoratet të mos kenë plane të punës që inspektorët nga ai që e ka fushën e përgjegjësinë në mes të Tiranës deri tek ai që e ka në një qytet të vogël të mos kenë përpara planin e tyre të punës dhe të mos përgjigjen për planin e tyre të punës, por të dalin nga shtëpia si gjahtarë që nisen nëpër drejtime të ndryshme për të kapur ndonjë gjë. Kjo nuk mund të jetë mënyra si funksionojnë inspektorët dhe aq më tepër akoma, unë besoj që ka ardhur koha që në të mos veprojmë në nivelin e inspektimit me befasira, a thua se po kapim diversantë dhe armiq në radhët e sipërmarrjes. Sipërmarrja lajmërohet, i parashtrohet programi tematik i inspektimit dhe bëhet inspektimi. Qëllimi ynë nuk është t’iu kapim gabim, qëllimi ynë është t’i ndihmojmë që të vetë korrigjohen edhe kur janë gabim. Kështu funksionon në gjithë Europën, kështu duhet të funksionojë edhe këtu”.

© Panorama.al

Te lidhura