Autoritetet shqiptare kanë arritur që të kthejnë në Shqipëri Eva Dumanin, e cila prej vitesh ndodhej në një kamp në Siri. Operacioni u krye në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Eva Dumani ka mbërritur paraditen e sotme, 14 shkurt, në aeroportin e Rinasit, pas transferimit nga Turqia me linjën Pegasus.
E reja kishte refuzuar më herët që të largohej nga kampi sirian. Në misionin e mëparshtëm, u rikthye në vend vëllai i saj, Endri.
Burime bëjnë të ditur se në këtë proces janë përfshirë Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë në Policinë e Shtetit dhe zyrtarë të strukturave kundër terrorizmit, në bashkëpunim me autoritetet turke.
Eva kishte refuzuar më herët që të riatdhesohej. Në një mesazh zanor që iu kishte dërguar dikur të afërmve, ajo thoshte: “Kam vendosur të mos kthehem më. Talhen (Endrin) e çova, merre ti. Ka një çantë blu amanet”, duke iu referuar vëllait që u riatdhesua më herët.
Eva dhe Endri Dumani ishin përkatësisht 8 dhe 6 vjeç kur babi i tyre i rrëmbeu drejt Sirisë për t’iu bashkuar xhihadistëve në shtetin islamik. Gjyshja e tyre shkoi atje për të tërhequr fëmijët pas vrasjes së të atit, por dha shpirt e burgosur në kamp.
© Panorama.al












