Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, i është përgjigjur deklaratave të Kryeministrit Edi Rama lidhur me ndryshimet e miratuara në vitin 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke theksuar se ato nuk u hartuan në dakordësi me Bashkimin Europian, por u kundërshtuan publikisht nga institucionet europiane.
Reagimi i Tabakut erdhi pasi Rama deklaroi në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste se ndryshimet ligjore ishin kryer në konsultim dhe në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian.
Sipas Tabakut, faktet dhe dokumentacioni publik dëshmojnë të kundërtën. Ajo kujtoi se ndryshimet u paraqitën në Kuvend si nismë e disa deputetëve dhe jo si projektligj i qeverisë, duke shmangur procedurat e zakonshme të konsultimit, transparencës dhe vlerësimit të ndikimit.
“Në vitin 2024, si kryetare e Komisionit të Integrimit Europian, së bashku me organizatat mjedisore, gazetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, ngrita publikisht shqetësimin kundër ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Faktet gjenden në arkivën publike dhe nuk mund të fshihen”, deklaroi Tabaku.
Deputetja demokrate theksoi se ndryshimet fillimisht u justifikuan me nevojën për restaurimin dhe mbrojtjen e ndërtimeve ekzistuese, por në përmbajtje krijuan mundësinë për zhvillimin e ndërtimeve dhe projekteve të mëdha turistike në zona të mbrojtura.
Tabaku nënvizoi se Komisioni Europian kishte paralajmëruar se ndryshimet rrezikonin vlerat ekologjike dhe biodiversitetin e vendit, ndërsa Parlamenti Europian kishte kërkuar shprehimisht rikthimin pas të tyre.
Sipas saj, ky është një tjetër shembull i mënyrës se si shumica qeverisëse ka përdorur Kuvendin për miratimin e “ligjeve me porosi”, të cilat u shërbejnë interesave të një pakice dhe jo interesit publik.
“Ligji për Investimet Strategjike dhe ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura janë pjesë e të njëjtit sistem: ligje që u shërbejnë interesave të një pakice, ndërsa faturën ua lënë shqiptarëve”, u shpreh Tabaku.
Ajo e lidhi debatin për zonat e mbrojtura edhe me ndërtimin e aeroportit të Vlorës në zonën Vjosë–Nartë, duke kujtuar se qeveria kishte shpërfillur edhe kërkesat e Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës për pezullimin e punimeve dhe kryerjen e një vlerësimi të ri e të plotë mjedisor.
Tabaku deklaroi se deklaratat e Kryeministrit nuk mund të zhbëjnë kundërshtimet e ngritura ndër vite nga shoqëria civile, organizatat mjedisore dhe institucionet europiane.
“Kryeministri nuk është keqkuptuar. Ai është kapur brenda sistemit që vetë ndërtoi. Një fjalim i stërgjatë nuk mund të mbulojë ligjet me porosi, mungesën e konsultimit real dhe interesat klienteliste që qëndrojnë pas tyre”, tha ajo.
Në përfundim, deputetja e PD-së kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 dhe rikthimin e shtetit në shërbim të qytetarëve, konkurrencës së ndershme dhe interesit publik.
“Ky sistem nuk ndryshon me propagandë. Ai zhbëhet duke shfuqizuar ligjet me porosi. Shqipëria ka nevojë për një fillim të ri, por ky fillim nuk mund të bëhet me kryearkitektin e sistemit të vjetër të shtetit të kapur”, përfundoi Tabaku.
© Panorama.alKryeministri foli gjatë. Shumë gjatë. Por nuk tha asgjë për thelbin e protestës.
Kjo është një protestë kundër sistemit që ai vetë ka ngritur: një sistem ligjesh me porosi, si Ligji për Investimet Strategjike dhe ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Ligje që… pic.twitter.com/eY9MLKNitb
— Jorida Tabaku (@jorida_tabaku) July 24, 2026












