“Dhuna e tyre kthehet në forcë për ne!”- Aktivisti Edison Lika: Sulmi i policisë ishte me skenar! Kishte listë për arrestimin e protestuesve më aktivë

Jul 24, 2026 | 15:25

Aktivisti Edison Lika, i cili u arrestua gjatë protestës së djeshme para Kuvendit, tha se situata e dhunshme e krijuar gjatë tubimit ishte e planifikuar dhe se qëllimi ishte arrestimi i personave që kishin qenë më aktivë gjatë protestave.

edison lika protesta

I ftuar në “News 24”, Lika tha se kishte pasur një “listë” me emrat e personave që do të shoqëroheshin, ndërsa hodhi poshtë akuzat për përdorim të mjeteve piroteknike nga protestuesit. Sipas tij, policia duhet të publikojë prova konkrete për këto pretendime.

“Dukej sikur kjo dhunë dje ka qenë e planifikuar, pra ka pasur një lloj liste me personat që duhet të shoqëroheshin gjatë ditës së djeshme, ata që kanë qenë më aktivë gjatë protestës. Por duket se edhe kjo kartë nuk u eci, pasi, siç e pamë dje, në protestën para Kryeministrisë ka pasur më shumë njerëz se sa pardje. Dhuna e tyre kthehet në forcë për ne.

Unë dje kam qenë gjatë gjithë kohës në protestë dhe nuk kam parë asnjë mjet piroteknik. Madje, kam parë një polic që kishte marrë një dëmtim në kokë. Mendova se mos e kishte kapur ndonjë tapë bidoni, sepse ishte një dëmtim shumë i vogël në krahasim me dëmtimet që na janë shkaktuar ne. Pse nuk i dokumentojnë me foto dhe video këto raste? Policia e Shtetit ka qenë me të gjitha mediat e veta aty. Si ka mundësi që nuk kemi foton e asnjë personi me ndonjë material piroteknik në duar?

Kjo protestë është paqësore dhe do të vazhdojë të jetë e tillë deri në fund. Këto akuza janë të pavërteta dhe të turpshme. Dhuna është parë shumë qartë se nga ka ardhur. Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës duke mbrojtur veten”, u shpreh ai.

© Panorama.al

Te lidhura