“Më tërhoqën zvarrë 10 efektivë!”- U arrestua nga policia gjatë protestës, aktivisti Edison Lika: Kanë ngritur akuza absurde! Do ankohem në AMP për shefin e Komisariatit Nr. 1

Jul 24, 2026 | 14:59

Aktivisti Edison Lika ka reaguar lidhur me shoqërimin e tij në komisariat ditën e djeshme, gjatë protestës së zhvilluar para Parlamentit. Lika u shoqërua nga forcat e Policisë së Shtetit teksa ishte në një lidhje direkte për “News 24”, ku po raportonte dhe fliste rreth protestës.

edison lika

Në një intervistë për News24, Lika ka kundërshtuar akuzat ndaj tij, duke deklaruar se nuk ishte pjesë e një tubimi të paligjshëm dhe se në momentin e arrestimit ndodhej larg protestës.

“Nuk isha në tubim të paligjshëm. Në momentin e arrestimit isha larg protestës. E dyta, akuza tjetër ishte pengimi i forcave të policisë, që as kjo nuk ka lidhje fare. Unë nuk kisha asnjë kontakt me forcat e Policisë së Shtetit. Madje, ata erdhën dhe më penguan mua në punën time”, tha ai.

Duke iu referuar pamjeve nga momenti i shoqërimit, Lika tha se sipas tij ka pasur një raport të pabarabartë mes tij dhe forcave të policisë, të cilët e tërhoqën zvarrë.

“Nga pamjet mund të vërtetohet që ka një raport disproporcional. Praktikisht jam unë një protestues përballë 10 forcave policore, ose më shumë, që më marrin zvarrë. Në atë moment mund të ketë konstatim të një dhune”, tha ai.

Lika bëri të ditur gjithashtu se do të depozitojë një ankesë pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ndaj shefit të Komisariatit Nr. 1, Ervin Hasrama, duke e akuzuar për marrjen e celularit të tij dhe dhënien e urdhrit për shoqërimin.

Edison Lika: Nuk isha në tubim të paligjshëm. Në momentin e arrestimit isha larg protestës. E dyta, akuza tjetër ishte pengimi i forcave të policisë, që as kjo nuk ka lidhje fare. Unë nuk kisha asnjë kontakt me forcat e Policisë së Shtetit. Madje, ata erdhën dhe më penguan mua në punën time.

Tjetër ishte pengimi i qarkullimit rrugor. Unë nuk isha as në rrugë. Të më thonin se pengova biçikletat, pasi isha në korsinë e tyre buzë Lanës. Ishte edhe një akuzë e katërt. Akuza totalisht absurde. Fakti që po buzëqeshja ishte për shkak të absurditetit të situatës që po ndodhte me arrestimin tim. Nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte.

Me qeshjen që bëra kur po më arrestonin, mendoj se buzëqeshja në fytyrat tona erdhi pas 36 vitesh në Shqipëri. Ne nuk do të lejojmë që jo policia, por askush të na e marrë atë që na ka sjellë kjo protestë.

Nga pamjet mund të vërtetohet që ka një raport disproporcional. Pra, praktikisht jam unë një protestues përballë 10 forcave policore, ose më shumë, që më marrin zvarrë. Në atë moment mund të ketë konstatim të një dhune. Ama, që të jemi korrektë, që kur jam shoqëruar në makinën e policisë dhe gjatë gjithë procesit më tutje, nuk është se ka pasur dhunë, për shkak se edhe vetë policët e dinin që ajo që kishin bërë ishte absurde dhe thjesht ata duhet t’i bindeshin urdhrit të shefit të Komisariatit Nr. 1.

Ai është shefi i Komisariatit Nr. 1, zoti Ervin Hasrama, të cilit, pasi të mbaroj këtë intervistë, do t’i bëj një ankesë pranë AMP-së, për shkak se ai fillimisht merr pronën time private nga dora ime, celularin tim. Dhe më pas jep një urdhër që unë të shoqërohem. Urdhër i cili është i pabazuar në asgjë. Unë nuk isha në flagrancë, nuk po bëja asgjë. Ai, me mendjen e vet, vendos që unë duhet të jem një prej atyre që duhet të shoqërohen. Ftoj të gjithë protestuesit që janë marrë në mënyrë të padrejtë nga forcat dhe efektivët e Policisë së Shtetit, të shkojnë pranë AMP-së dhe të bëjnë ankesa për punonjësit e Policisë së Shtetit, sepse ata nuk duhet t’u binden urdhrave të paligjshëm të shefave të tyre.

© Panorama.al

Te lidhura