Demokratët Europianë kanë reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestat në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për përdorimin e forcës ndaj qytetarëve.
Në qendër të mesazhit janë pamjet e një nëne që përqafon djalin e saj autik, i cili sipas postimit u prek nga spraji i piperit i përdorur nga policia gjatë protestës para parlamentit.
Sipas Demokratëve Europianë, kjo skenë simbolizon mënyrën se si autoritetet iu përgjigjën qytetarëve që protestonin kundër klasës politike.
Demokratët Europianë theksojnë se “Shqipëria meriton llogaridhënie demokratike, mbikëqyrje të pavarur dhe respekt të plotë për protestën paqësore”, duke e shoqëruar postimin me mesazhin kryesor: “Shqipëria reziston. Rama përgjigjet me represion.”
“Një nënë përqafon djalin e saj autik, pasi protestuesit që mbronin vijën bregdetare të Shqipërisë u përfshinë nga gazi lotsjellës dhe spërkatja me spec djegës nga policia. Pas këtij përqafimi qëndron një zgjedhje e ashpër politike: qytetarët që kërkonin transparencë dhe mbrojtje të mjedisit u përballën me forcë, ndërsa një zhvillim luksoz i lidhur me Jared Kushner-in merr mbështetje nga qeveria. Shqipëria e Edi Ramës meriton llogaridhënie demokratike, kontroll të pavarur dhe respekt të plotë për të drejtën e protestës paqësore”, shkruajnë ata krahas videos.
REAGIMI I EDI RAMËS PËR SULMIN
Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e qeverisë dhe Grupit të PS-së, komentoi edhe sulmin ndaj nënës dhe djalit të saj me spektër autik, të cilët u prekën nga gazi lotsjellës gjatë protestës pranë Parlamentit, duke u shprehur se nënë e bir u përdorën politikisht nga ata që i cilëson si “sorrat dhe korbat” e bulevardit.
Rama ai drejtoi gishtin protestuesve dhe jo Policisë që hodhi gazin lotsjellës, duke thënë se e përdorën gruan me “dorën e tyre të solidaritetit hipokrit”. Sipas Ramës, ata “abuzuan” me dhimbjen e gruas dhe fëmijës së saj me “të njëjtin manual që përdorin terroristët kur abuzojnë gratë e fëmijët”.
“Dje atë nënën me fëmijën me spektër autik, të cilën korbat e kishin marrë me vete te parlamenti për ta kthyer në viktimën e policisë që ishte aty për të mbrojtur deputetët nga të verbrit e dhunshëm të Shqipërisë. Ne sapo i kemi dyfishuar mbështetjen për fëmijët autikë, kemi rritur mbështetjen e dhe për nënat e tyre. Ky është fakti ynë i thjeshtë, ndërsa përjetimi i asaj nëne është krejt tjetër. Ajo mund të mos jetë fare e informuar, ose edhe mund të jetë për dyfishimin e mbështetjes për djalin, por ajo nuk e ka ndjerë kurrë empatinë tonë, në atë fundin e atij hendekut, mes faktit tonë dhe përjetimit tonë dhe përjetimit të vetmisë së saj dëshpëruese.
Aty në fund të hendekut e futën sorrat dhe korbat dorën e solidaritetit të tyre hipokrit për ta marrë me vete te parlamenti dhe për të abuzuar me atë nënë me fëmijën autik, të njëjtin manual që përdorin terroristët kur abuzojnë gratë e fëmijët duke i përdorur si mburojë teksa sulmonin me maska policinë e shtetit. Më pas e vunë dhe përpara kamerës. E përdhunuan dhe e nxorrën ne mexhelis për t’i qarë hallin dhe i kthyen lotët e saj në breshër përmes algoritmit.
Pastaj e lanë në fatin e saj dhe u nisën për tek mikrofoni në bulevard njësoj si ata skuthat e zinj që i kemi parë në përdorimin e këtij manuali, që çojnë të tjerët mish për top dhe më pas kërkojnë solidaritet për të shkretët njerëz duke mbajtur fjalime dhe kërkuar që zoti të dënojë terroristët në pushtet, në emër të viktimave të shtetit policor.”, tha ai.
© Panorama.al













