“Kryeministri e ka humbur algoritmin edhe rrugën”- Gazetari Gjergj Erebara: Sulmi i shtetit ndaj protestuesve, hileqar dhe i padrejtë!

Jul 16, 2026 | 15:16

Gazetari i BIRN, Gjergj Erebara, mendon se shteti po godet protestuesit në mënyrë të padrejtë dhe me teknika aspak të ligjshme, ndërsa të drejtën për tubime ai e cilëson si Kushtetuese të çdo qytetari, për t’i kërkuar llogari qeverisë.

gjergj erebara

Ai e cilësoi sjelljen e qeverisë si një situatë të humbjes së qetësisë përballë valës qytetare. Komentet e tij gazetari i bëri sot në studion e News24, teksa iu përgjigj edhe kreut të grupit të PS, për akuzat që kishte bërë më herët ndaj tij dhe protestuesve.

Ai tha se “Balla mund t’i kërkojë edhe Zotit llogari jo vetëm ambasadave siç ai bëri, por e drejta për protestë është kushtetuese”.

Kurse për kryeministrin Edi Rama, gazetari u shpreh:

“Kryeministri e ka humbur edhe algoritmin, edhe rrugën. Rama në burg, Berisha në burg është shprehje dhe jo platformë. Protestat qytetare janë e drejtë kushtetuese. Të rinjtë përbëjnë shumicën e protestuesve. Rama në burg Berisha në burg është alegori dhe jo platformë politike. Rama ka humbur dhe median konvencionale, e gjithë infrastruktura e propagandës është e dobët dhe mbështetet në një rrjet që nuk i lexon askush”, tha ai.

Kurse sjelljen e shtetit ndaj protestuesve ai e cilësoi hileqare.

“Sulmi i shtetit ndaj protestuesve hileqar dhe i padrejtë. Shteti po përdor burimet e veta shtetërore me qëllim që të shfrytëzojë të dhëna që kanë dalë nga dokumente shtetërore, ose rasti i shpalljes non grata të shtetases nga Kosova. Ka një dallim mes protestuesit s’më pëlqejnë dhe shteti përdor fuqinë ekzekutive që është shqetësues”, tha Erebara.

Ai iu përgjigj edhe kreut të grupit të PS, duke i kujtuar Kushtetutën, duke e kritikuar për etiketimet që i bënte qytetarëve dhe gazetarëve.

“Balla ka të drejtë t’i kërkojë llogari edhe Zotit, por e drejta për të protestuar është e drejtë kushtetuese në çdo vend normal përveç Shqipërisë, por s’mund të thuash se ai është kriminel se proteston apo të përmendësh që një protestues është me probleme mendore që është çnjerëzore, para se të jetë politikisht jokorrekte”.

Ndërsa për shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura ai tha:

“Kërkesa e BE është shfuqizimi i ligjit 21/2024 pasi kthen në vend ligjin e mëparshëm se zonat e mbrojtura janë të mbrojtura. Nuk mund të bësh një shtesë mbi një titull kur i heq këto kur e sheh të nevojshme. Deputetët pa lidhje me zonat e mbrojtura bënë një propozim dhe qeveria ndryshoi ligjin me porosi në mënyrë klienteliste”.

Eerbara: SPAK po punon, ka goditur deri te zv/kryeministrja Balluku! Rama mbështetet te propaganda!

Gazetari Gjergj Erebara komentoi edhe punën e Prokurorisë së Posaçme, duke vënë në dukje se institucioni ka bërë progres të dukshëm duke parë goditjet e viteve të fundit, por edhe sigurimi i provave, argumentimi i bazës ligjore dhe operacionet e sekuestrimit, deri tek marrja nën akuzë e zv/kryeministres Belinda Balluku.

Ai kritikoi kryeministrin Edi Rama në lidhje me sjelljen e qeverisë ndaj protestave, duke thënë se ka humbur jo vetëm median tradicionale, por po mbështetet edhe tek propaganda e dobët.

“Rama në burg Berisha në burg është alegori dhe jo platformë politike. Kryeministri ka humbur algoritmin, rrugën dhe median konvencionale, e gjithë infrastruktura e propagandës është e dobët dhe mbështetet në një rrjet që nuk i lexon askush. Është shumë e gabuar të gjykosh proceset historike duke thënë që fajin e ka populli. Në shumë vende problemet janë të neoliberalizmit që ka rritur pabarazitë, tek ne mund të themi që janë dhe problemet e postkomunizmit. Partia e fortë është reminishencë e komunizmit dhe kulti i liderit të fortë. Në një situatë normale 35 vite do të kishin mjaftuar që ne t’i kishim kapërcyer këto probleme, dhunën, drejtësinë e kapur nga Parlamenti, e vetmja gjë që arritëm është pavarësia e gjyqësorit që ndryshoi në 2016”, tha ai mes të tjerash në studion e “News24” ditën e sotme.

Më tej gazetari i BIRN analizoi edhe punën e Prokurorisë së Posaçme në këto vite. Autonomia e prokurorëve të SPAK sipas tij është me rëndësi, sepse u lejon të mos jenë si “kukulla” dhe të marrin vendime të pavarura.

Rezultatet e deritanishme i cilësoi si progres, duke vënë në dukje goditjet e mëdha deri te zv/kryeministrja Balluku.

“Titulli në kushtetutën e vjetër është që prokuroria është sistem piramidal nën drejtimin e kryeprokurorit, që mjaftonte të gjenin një kryeprokuror kukull për t’i shpëtuar drejtësisë. Autonomia e prokurorëve është që 20 prokurorë kanë të drejtë të ngrenë akuzë. Ne ecëm shumë ngadalë, u deshën 5 vite të krijohej dhe 3 vjet të merrte veten dhe kemi rastet e para. Në Tiranë janë sekuestruar pallate me vlerë 400 milionë euro që u përkasin dy organizatave kriminale. Për aq kohë sa është goditur zv/kryeministrja. SPAK-u ka bërë shumë punë dhe shumë progres dhe po të lexosh vendimet për Lefter Kokën dhe ato të pastrimit të parave sheh një progres në arsyetim dhe hetimin pasuror të pronave të krimit”, argumentoi Erebara.

© Panorama.al

Te lidhura