Pesë subjekte biznesi janë ndëshkuar me pezullim aktiviteti dhe gjobë nga Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT), për ndotje mjedisore në zonën e Dhërmiut, pjesë e Bashkisë Himarë.
Sipas IKMT-së, kontrollet janë kryer nga Drejtoria e Inspektimit të Mjedisit dhe Ujërave pas denoncimeve të qytetarëve për aktivitetet e fraksionimit dhe ndarjes së inerteve të gurit në këtë zonë.
Nga inspektimet është konstatuar mosrespektim i kushteve të përcaktuara në lejet mjedisore, duke sjellë masa administrative ndaj kompanive Gjikuria, Anchor Beton, Eral Construction Company dhe Beton Express 2018. Subjektet janë ndëshkuar me gjobë dhe pezullim të aktivitetit.
IKMT ka bërë thirrje që veçanërisht gjatë sezonit turistik, bizneset që ushtrojnë aktivitet përgjatë vijës bregdetare të respektojnë detyrimet ligjore për mbrojtjen e mjedisit.
Inspektorati deklaron se do të vijojë kontrollet dhe nuk do të tolerojë shkeljet në fushën e ndërtimit, mjedisit dhe pyjeve.
© Panorama.al












