“Smart City” në shkolla, Rama: Prindërit duhet të ndihen të lehtësuar, qeveria ndryshe nga si përshkruhet në kanalet sociale dhe algoritmi është një trupë që bën atë që thotë

Jul 16, 2026 | 14:50

Kryeministri Edi Rama, teksa mori pjesë në inaugurimin e Qendrës së Monitorimit për projektin “Smart City”, deklaroi se projekti është përgjigjja institucionale ndaj vrasjes tragjike të Martin Canit në shkollën “Fan Noli”.

WhatsApp Image 2026-07-16 at 14.28.56

Gjatë prezantimit të projektit, Rama tha se nuk e ka harruar tragjedinë, që sipas tij, u politizua dhe u keqpërdor, duke shtuar se një shtet nuk matet me ngjarjet që ndodhin, por me mënyrën se si reagon ndaj tyre.

Unë nuk e kam harruar siç e kanë harruar të gjithë ata që e përdorën, keqpërdorën e abuzuan deri në fund atë tragjedi sepse e kujtoj përditë duke ndjekur këtë projekt që është përgjigjja ime dhe jonë ndaj asaj tragjedie. Një shtet nuk matet dot me çdo gjë që ndodh sepse edhe në shtetet më të zhvilluara me traditat më të konsoliduara institucionale e sistemet më të sofistikuara administrative ka raste që ndodhin gjëra, të cilat trondisin mbarë opinionin publik.

Por një shtet ama matet me sesi reagojmë ndaj cdo gjëje që ndodh dhe reagimi ynë në këtë rast është reagim sistemik, i cili edhe në nderim të kujtimit të një viktime të pafajshme dhe të panevojshme do të mundësojë që shumë fëmijë të cilët mund të jenë potencialisht një ditë të rrezikuar të mos kenë asnjë pasojë sepse ky reagim sistemik do të lërë pas një mekanizëm të sofistikuar teknologjik, që do të harmonizojë përpjekjen e njerëzve e institucioneve me aftësitë e AI, kësisoj do të mundësojë që parandalimi të ngrihet në nivel tjetër.”, tha ai.

Rama tha se prindërit duhet të ndihen të lehtësuar, sepse sipas tij, qeveria, ndryshe nga sa thuhet në kanalet sociale apo algoritmi, duke iu referuar indirekt protestave kundër tij, bën atë që thotë.

“Besoj se sot të gjithë prindërit që kanë fëmijët në shkolla duhet të ndihen mirë, të lehtësuar për faktin se qeveria, ndryshe nga si përshkruhet në të përditshmen e jetës së kanaleve sociale dhe në të përditshmen e jetës pa një minutë gjumë të algorimit, është një trupë që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë.”, shtoi ai.

Kryeministri e cilësoi algoritmin si “rrugaçin e lagjes” në xhepat e fëmijëve, teksa tha:

“Kështu që për më tepër sot kur jemi në kohën e armikut të fëmijëve dhe rrugaçit më të rrezikshëm të lagjes që është algoritmi në xhepat apo çantat e adoleshentëve e të miturve, ky sistem do të na japë krahë dhe do të jetë i fokusuar edhe te ndërveprimi me prindërit.”

© Panorama.al

Te lidhura