Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin, mbetet në fuqi pezullimi nga detyra i Belinda Ballukut. Masa ka qenë “pezullim nga ushtrimi i funksioneve”.
Ankimimi ishte bërë nga avokatët e ish-zv/kryeministres Balluku, e cila e cilësonte të paligjshëm masën e vendosur nga GJKKO me kërkesë të SPAK që nga fillimi i këtij viti.
Balluku është nën akuzë nga SPAK për tunelin e Llogarasë, 11 procedura të tjera tenderuese dhe së fundmi për pastrimin e parave e fshehje pasurie në lidhje me një vilë në Dhërmi, që dyshohet se është në pronësi të saj, por e fshehur në emra të tjerë.
Me këtë vendim, Gjykata e Lartë nuk ndryshon vendimet e mëparshme të gjykatave të Posaçme, të shkallës së pare dhe Apelit, që do të thotë se masa e pezullimit ndaj Ballukut mbetet në fuqi dhe ajo nuk mund të rikthehet më në funksione publike.
Edhe Kushtetuesja ishte ndarë 4 me 4 në votim gjatë muajit shkurt për një ankimim të Kryeministrit në lidhje me pezullimin, duke lënë në fuqi GJKKO e SPAK.
Balluku pretendoi se për shkak se nuk ushtron më funksione shtetërore, masa e pezullimit nuk kishte efekt dhe për këtë arsye kërkoi shfuqizimin e saj. Por kolegji penal vendosi mospranimin e rekursit.
Ish-zv.kryeministrja po hetohet për korrupsion, pastrim parash dhe abuzime me tenderat e rrugëve. Ndaj saj është në fuqi edhe masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit.
Ndërsa maxhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK për leje për ta arrestuar ish-ministren.
Balluku është nën hetim për korrupsion, pastrim parash e abuzime me tenderat.
© Panorama.al












