Anglia u eliminua nga Botërori pas humbjes 1-2 ndaj Argjentinës në gjysmëfinale, duke i dhënë fund ëndrrës për të luajtur finalen e madhe.
Kapiteni i “Tre Luanëve”, Herri Kejn, nuk e fshehu zhgënjimin pas përfundimit të sfidës, duke vlerësuar përkushtimin e skuadrës, por duke pranuar se ekipi nuk arriti të menaxhonte momentet vendimtare.
“Jam i shkatërruar për djemtë, për të gjithë ekipin, stafin dhe tifozët. Kemi punuar jashtëzakonisht shumë për të qenë këtu dhe lojtarët kanë dhënë çdo pikë vrapimi, gjak, djersë dhe lot. Prandaj të mbetesh kaq pranë është shumë e dhimbshme”, u shpreh Kejn për “BBC One”.
Kapiteni anglez pranoi se skuadra e tij humbi kontrollin pas golit të avantazhit. Sipas tij, Anglia u tërhoq shumë dhe nuk arriti të ruante intensitetin e treguar në pjesën më të madhe të ndeshjes.
“Luajtëm një ndeshje të mirë në pjesën më të madhe të saj. Por kur kaluam në avantazh 1-0, u duk sikur u përpoqëm ta mbanim rezultatin. Në këtë nivel kjo nuk mjafton”, tha sulmuesi.
Kejn analizoi edhe momentin kur Argjentina mori kontrollin e lojës pas barazimit.
“Në pjesën e parë dhe në fillimin e së dytës i vendosëm nën presion, fituam topa dhe kontrolluam më mirë lojën, por pas golit të parë të tyre, gjithçka ndryshoi. Ata shtynë më shumë lojtarë përpara dhe ne nuk arritëm t’i përballonim. Ishte një valë pas tjetrës. Djemtë vendosën trupat përpara topit dhe bënë gjithçka që mundën, por në fund nuk ishte e mjaftueshme”, shtoi ai.
I pyetur nëse kjo ishte një ndeshje tepër për Anglinë pas një rrugëtimi të gjatë në turne, Kejn nuk dha një përgjigje të prerë.
“Nuk e di. Djemtë janë gjithmonë gati për çdo moment të ndeshjes. Kur kaluam në avantazh, mesazhi ishte të kërkonim edhe një gol tjetër. Pas dy golave të Argjentinës u përpoqëm të gjenim një mënyrë për t’u rikthyer, por nuk arritëm të merrnim më vrullin e duhur”, përfundoi kapiteni anglez.
Për Anglinë mbetet zhgënjimi i një tjetër mundësie të humbur, ndërsa Argjentina vazhdon rrugën drejt mbrojtjes së titullit botëror.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











