Kritikat ndaj Ramës, Spiropali: Dorëzova në PS mocionin për hapjen e debatit për një marrëveshje të re për Shqipërinë! S’është përpjekje për përçarje! Qytetarëve t’u përgjigjemi me përulësi, jo arrogancë

Jul 16, 2026 | 10:08

Ish ministrja dhe deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali deklaroi se ka dorëzuar këtë të enjte në Asamblenë Kombëtare të partisë një mocion për hapjen e debatit për atë që ajo e quan një marrëveshje të re për Shqipërinë.

Duke folur për gazetarët para se të hynte në Kuvend, Spiropali tha se me këtë hap e ka mbajtur premtimin e bërë më herët.

Sipas saj, një marrëveshje e re për vendin nuk mund të hartohet nga një grup i vogël individësh, por duhet të reflektojë vullnetin e shumicës së anëtarësisë së PS dhe të gjithë shoqërisë.

“E mbajta premtimin sot, sapo e dorëzova në Asamblenë Kombëtare të PS mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nga ana ime premtimi u mbajt dhe iu përgjigja thirrjes së kryetarit. Nuk është vetëm një dokument i imi, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS.

Ia kam drejtuar kryetarit të PS dhe kryeministrit, Asamblesë Kombëtare dhe çdo anëtari të partisë por do të jetë i hapur edhe për publikun sepse një marrëveshje për Shqipërinë nuk mund as të hartohet nga një, dy apo 10 individë por duhet të shprehë vullnetin e shumicës jo vetëm të anëtarësisë por edhe të shoqërisë që në këtë moment patjetër kërkon më shumë përparim, demokraci e drejtësi shoqërore, një marrëdhënie më të drejtë midis shtetit dhe qytetarëve.

Kërkon një model ekonomik që i përgjigjet nevojave dhe sidomos të rinjtë të cilët janë edhe në pararojë të kërkesave për ndryshim janë ata që presin më shumë nga ne dhe unë kam besimin që kjo shumicë qeverisëse dhe PS i ka energjitë e mundësitë t’i përgjigjet kësaj kërkese.”, theksoi ajo.

Deputetja socialiste theksoi se qytetarët kërkojnë më shumë përfaqësim, demokraci dhe drejtësi, si edhe një marrëdhënie më të drejtë mes shtetit dhe qytetarëve.

Po ashtu, ajo hodhi poshtë çdo interpretim se nisma e saj synon krijimin e një fraksioni apo përçarjen e Partisë Socialiste.

Kjo nuk është përpjekje për fraksion as për ndarje, as për përçarje por për bashkim të të gjithë energjive progresiste të PS dhe shoqërisë. Ne duhet ti përgjigjemi qytetarëve jo me arrogancë por e përulësi duke i dëgjuar dhe kanalizuar me rrugë edhe institucionale kërkesat e tyre. Edhe drejtësia adresohet se është një nga çështjet kryesore, ka qenë krenaria jonë pavarësia e drejtësisë. “, tha ajo.

© Panorama.al

Te lidhura