“Ka premtuar vetëm gënjeshtra!”- Gazetari Osman Stafa: Rama premtoi luftë kundër korrupsionit dhe tani mbron Belinda Ballukun! Politikanët e kanë humbur besën!

Jul 24, 2026 | 21:40

Gazetari Osman Stafa ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama për “besën” dhe tha se për një politikan besa duhet të jetë e lidhur me mbajtjen e premtimeve ndaj qytetarëve, jo me gënjeshtra.

Ai përmendi premtimin e Ramës në vitin 2013 për luftën ndaj korrupsionit, një fjalë e pa mbajtur prej tij dhe qeverisë, e cila sot mbron korrupsionin e Belinda Ballukut.

“Në vitin 2013 premtoi luftë kundër korrupsionit, por kjo është qeveria më e korruptuar, aq sa sot mbrohet korrupsioni i Belinda Ballukut. Premtoi legalizime, por akoma shqiptarët enden në hipoteka”, tha ai.

Sipas tij, qytetarët kanë dhënë besimin e tyre për shumë vite te partitë politike, por tashmë kërkojnë një alternativë tjetër.

“Partive u keni dhënë besim për 36 vite. Çfarë besimi doni t’u jepni më, të majtë e të djathtë? I besoni këtij sheshi, që është kundër kësaj klase politike”, u shpreh gazetari, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të vijojnë qëndrimin e tyre në protestë.

Gazetari Osman Stafa: Në këtë shesh shikoj vetëm shqiponja, por këta i ngatërrojnë me korba, sepse këta vetëm korba kanë parë në pushtet. Kjo protestë ka rritur numrat dhe ka dhënë mesazhe. Ka folur kryeministri sot për besën. Besa është institucioni më i vjetër dhe më i rëndësishëm i shqiptarit. Kush është besa për politikanin? Është premtimi i tij.

Çfarë kanë premtuar këta në 36 vite? Vetëm gënjeshtra. Premtoi kryeministri se do të kishte ujë 24 orë, gënjeshtër. Në vitin 2013 premtoi luftë kundër korrupsionit, por kjo është qeveria më e korruptuar, aq sa sot mbrohet korrupsioni i Belinda Ballukut. Premtoi legalizime, por akoma shqiptarët enden në hipoteka. Vetëm sot gënjeu përsëri për një nënë që rrit një djalë me autizëm, duke thënë se i është dyfishuar ndihma. Dyfishimi është vetëm për ata që janë nën 18 vjeç.

Këta paratë i mbajnë për kopshtin Eden, për Kanye West, për inceneratorë që nuk ekzistojnë. Partive u keni dhënë besim për 36 vite. Çfarë besimi doni t’u jepni më, të majtë e të djathtë? I besoni këtij sheshi, që është kundër kësaj klase politike që ka në agjendë shpopullimin. Luftoni për veten, për familjet tuaja… Nuk iket nga ky shesh pa e bërë Shqipërinë”.

© Panorama.al

Te lidhura