Imuniteti i Ballukut, deputetja e PD: Opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve sipas rregullores, ju e shkelni! Rama ju trajton si ‘kartona”!

Jan 19, 2026 | 11:57

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa kërkoi sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për t’i hequr imunitetin zëvendës kryeministres së pandehur, Belinda Balluku dhe arrestimin e saj.

ina zhupa

Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, Zhupa theksoi se socialistët po përdoren nga kryeministri Edi Rama si “ kartona” dhe “ushtarë pa personalitet” duke shkelur rregulloren për mbledhjen e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut.

“Duhet të kesh guxim të tepruar dhe pafytyrësi të thuash që sesioni i kaluar ishte sukses dhe dhënie hapësire për deputetët e opozitës. Treguesi kohor që citon Balla, ku opozita ka folur 48 orë dhe mazhoranca 40 orë, tregon që paskeni folur shumë. Sepse Edi Rama ju trajtoi si kartona dhe ushtarë pa personalitet, teksa ju tha: ju mos diskutoni, por vetëm miratoni projektligje. Edhe në këtë porosi, ku askush nga ju s’e kundërshtoi, ju ftoj që këtë sesion të flisni 4 orë gjithsej, sepse atë rol ua kanë dhënë: si kartona. Opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve sipas rregullores, ju e shkelni. Opozita kërkon mocion me debat për problemet e shqiptarëve, ju e mohoni. Opozita kërkon interpelanca me kryeministrin, ju s’i lejoni. Për çfarë flisni atëherë?”, u shpreh ajo.

Sipas saj, edhe në projekt kalendarin e punimeve të Kuvendit, nuk është vendosur asnjë datë për shqyrtimin e projektligjeve të opozitës por vetëm ato të qeverisë.  Mes të tjerash, Zhupa përmendi edhe një projektligj të propozuar nga ajo për mësuesit, që siç shtoi deputetja, vazhdon të qëndrojë në sirtar.

“Mjafton të shikosh edhe këtë projekt-kalendar: asnjë nga projektligjet e deputetëve të opozitës nuk ka një datë për shqyrtim. Zero, asnjë, sa për sy e faqe. Data kanë vetëm projektligjet e qeverisë dhe ato të deputetëve tuaj, që nuk i kanë bërë as vetë, por i sjellin të qeverisë për të shmangur procesin e konsultimit publik.

S’keni as guxim t’i fusni dhe t’i rrëzoni, sepse nuk thoni dot publikisht që kundërshtoni interesin qytetar. Rri në sirtar projektligji im për pagat e mësuesve, heqja e 5-mijë lekëshit të kategorisë. Nuk e fusni, sepse nuk e rrëzoni dot, por as nuk e miratoni, sepse s’ju lë qeveria. Ky është realiteti i një parlamenti që nuk respekton asgjë dhe nuk ka asnjë rol përtej dëshirave dhe vullnetit të Edi Ramës.“, shtoi deputetja.

© Panorama.al

Te lidhura