Akuzohet për vrasjen e Santiago Malkos, e ëma e ish policit në gjyqin ndaj Leonard Dukës: Dua dënim me vdekje! Ja sa vite kërkon SPAK

Jan 19, 2026 | 11:54

Është mbajtur sot në GJKKO seanca e radhës gjyqësore për Leonard Dukën, i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e ish policit Santiago Malko në vitin 2019. SPAK ka kërkuar për të 32 vite burg, ndërsa gjykata pritet ta shpallë vendimin më 21 janar, ora 11:45.

23

E ëma e ish policit ka deklaruar në seancë se Leonard Duka duhet të dënohet me vdekje. Ajo tha se ai i kishte dërguar Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin duke i thënë se nuk kishte gjë me të birin, por se ia kishte vrarë në mes të rrugës.

“Leonard Duka më ka vrarë djalin. Më solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe më tha që s’kam gjë me Santin, por doli e me vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë”, u shpreh ajo.

Leonard Duka, nga ana tjetër, pretendon se Prokuroria nuk ka fakte ndaj tij, dhe se procesi është i montuar nga policia.

“Deklaroj që jam i pafajshëm dhe Prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar  nga policia që të më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia.“, tha ai.

Ndërkohë, avokatja e Dukës, Melina Gjata deklaroi se nuk ka asnjë provë kundër tij, por deduksione të krijuara nga një proces hetimor që sipas saj nuk është i plotë dhe se është bazuar në histori në media.

“Konkluzionet e SPAK nuk janë të bazuara në provë dhe ligj. S’ka asnjë provë, por vetëm deduksione të krijuara nga një proces hetimor jo i plotë dhe i paragjykuar, më shumë të bazuara në histori të raportuara në media. Dëshmitari Blendi Teta, ka deklaruar para gjykatës që është kërcënuar dhe vënë në presion nga Polici e Shtetit dhe Ervis Martini dhe këto janë shkelje të rënda të ligjit. Dëshmia nuk i shërben me të vërtetës, por fabrikim të provës. Dëshmia e Tetës, i cili pretendon në Gjykatë se e ka dhënë në presion nga Ervis Martini, nuk mund të përdoret nga Prokurori në konkluzione përfundimtare. Dëshmia e Blendi Tetës konfirmohet edhe nga ajo e Ilir Selmanit, të bashkëpandehurit tjetër.

Duke i bërë ato të besueshme. Edhe Selmani ka thënë para kësaj gjykate se janë dhënë 500 mijë euro për të fundosur vëllezërit Duka. Prokuroria thotë se shkak për vrasjen është bërë hakmarrja për dy plagosje që dyshohet se ka kryer viktima Santiago Malko, por ato ngjarje janë ende pa autor dhe hetuesit i kanë pezulluar procedimet pasi nuk kanë gjetur autorët. Si mundet prokurori të përcaktojë autorin e atyre ngjarjeve, ndërkohë që personat kompetent qe i kanë hetuar nuk i kanë identifikuar. Transkriptet e Sky nuk janë prova të ligjshme dhe rezultatet e nxjerra nga to janë të paligjshme sipas legjislacionit shqiptar. Ato hyjnë më cënimin e lirisë dhe fshehtësisë së korrespondëncës. Përgjimi i autoriteteve franceze përbën përgjim masiv, s’ka qenë i orientuar. Identifikimi i bërë nga OPGJ të kodeve, ka qenë amator dhe jo i besueshëm, pasi nuk është ndjekur procedura standarte. Vetë Leonard Duka ka deklaruar para gjykatës se ai nuk ka pasur në përdorim aplikacionin Sky”, u shpreh ajo.

Vrasja e Santiago Malkos dhe të përfshirët

Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 me breshëri plumbash në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Malko u largua nga detyra si polic pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit. Ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij doli në skenë në Tetor të 2018, kur i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash. Malko dyshohej se ishte i përfshirë në disa ngjarje kriminale.

SPAK ka kërkuar në total kërkon 157 vite burg për të akuzuarit. Konkretisht për Leonard Dukën kërkon 32 vite burg, 25 vite për Erlis Dukën, 32 vite burg për Fatmir Hysenin, 22 vite burg për Aleksandër Manxhakun, 23 vite burg për Oltian Logën dhe 23 vite burg për Dritan Agajn. Më herët, për vrasjen e Malkos, janë dënuar në një proces të ndarë edhe Blendi Teta dhe Ilir Selmani.

 

© Panorama.al

Te lidhura