Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u pyet edhe për qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese ndaj masës së arrestit të tij shtëpiak.
Ai theksoi se vendimi i GJK kundrejt tij ishte partiak dhe se pasojat ndihen akoma për sa kohë shkon dhe paraqitet në Prokurorinë e Posaçme.
Sipas tij, gjykata nuk vendosi shfuqizimin e këtij vendimi, dhe se kjo shkon në favor të Belinda Ballukut dhe “Lubive” të tjera që sipas tij do të përfundojnë në Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese është një seksion i një organizate partie të PS-së. Komenti i parë. Atë çështje Gjykata Kushtetuese e trajtoi pas 8 muajve paraqitje. Në një kohë kur çdo çështje që ka të bëjë me qeveritarët e trajton brenda 2-3 javëve. Këto janë standardet partiake të Gjykatës Kushtetuese. Së dyti, Gjykata Kushtetuese me një vendim të koduar, partia, shpalli jo kushtetues vendimin ndaj meje por nuk e shfuqizoi atë.
Ndërkohë që ai vendim ka pasoja edhe sot. Pra, nuk e shfuqizoi duke pretenduar se nuk është më në fuqi, por në fuqi janë pasojat e tij. Dhe vendimi në çdo doktrinë, përveç në atë të partisë së krimit, vendimi duhej shfuqizuar. Çfarë bëri me vendimin që mori.
Mori një vendim në favor të Lubisë dhe Lubive të tjera që do të shkojnë aty. Sepse hapi rrugën të shfuqizojë vendimet e tjera. Vendimin tim nuk e shfuqizoi duke pretenduar se nuk është në fuqi, duke pretenduar se ajo merret vetëm më vendimet që janë në fuqi, çka nuk është ashtu. Ajo merret me vendimet që janë në fuqi dhe që kanë pasoja. Nuk është zhdukur. Pasoja e atij vendimi është fakti që unë jam sot këtu para jush. Kjo është një nga pasojat. Plus pasojat e tjera. Ja pra, besoj se e morët vesh se ç’përfaqësojnë, njerëz të kapur peng me dhjetëra e dhjetëra mëkate dhe gjëra të padenja.”, tha Berisha.
© Panorama.al











