Gjermanët në Tiranën e 1971 dhe sekretet e ndeshjes historike! Kur Beckenbauer u detyrua të dezinfektonte duart në Rinas dhe të pozonte pranë Stalinit

Feb 11, 2026 | 11:54

BeckenbauerUVIL ZAJMI

Ndonëse vite, dekada kalojnë sa herë që vjen muaji shkurt, më ngacmon një datë, që më rikthen në një ndeshje historike, të përmasave mitike. Për shumë arsye. Nga mbërritja e RFGjsë në Rinas, detyrimi futbollistëve, drejtuesve gjermanë për të larë duart në aeroporti, atmosfera, biletat, transmetimi, publiciteti, interesim nga UEFA, si e përjetoi Shqipëria përballjen me gjigantët e kohës Majer, Vogts, Beckenbauer, Overat, Netzer, Heinkes, Grabovskit, Myler Shnelinger? Bllokimi ato dy ditë i kryeqytetit, fotografitë surprizë me Stalinin, tmerri nga Qafë-Kërraba dhe cilët ishin heronjtë e kombëtares? Befasia kur Boriçi aktivizoi në sulm Astrit Ziun me numrin 12, këpucët nr. 46, të Netzerit, goli i Mylerit dhe cila ishte vajza misterioze që ai njohu në “Dajti”? Nga vajtja në Durrës për jetë nate e “pancerave”, te bobina e zhdukur e takimit dhe mania e shqiptarëve për emrat Gerd e Franc. Kush e ka përjetuar, futbollistë, dashamirës, opinionistë, gazetarë e kujtojnë me nostalgji edhe sot atë përballje. Bashkë me ish-”Qemal Stafën”, si dëshmitar absolut në atë mesditë dimri. E mërkurë, 17 shkurt 1971 ka qenë, 55 vite, më shumë se gjysmë shekulli më parë.

GRIPI I HONG KONGUT

Gripi i Hong Kongut ishte një pandemi që shpërtheu në mbarë botën në vitin 1968, ‘69 ku humbën jetën deri në 4 milionë persona në botë. Ai do të vinte e përhapej në Shqipëri në fund të 1969, në festat e Vitit të Ri, për të vijuar agresiv dhe me pasoja për jetën. Një epidemi do të mobilizojë një shtet, të gjitha institucionet shëndetësore në vend. Vetëm në muajin maj epidemia u konsiderua e mundur, por që vijoi edhe më vonë. Ndërkohë, janë të kufizuara lëvizjet-vajtje ardhje jashtë vendit. Duke qenë se në Turqi kishte rënë malaria, futbollistët shqiptarë pas takimit të Stambollit u izoluan për disa ditë në Durrës dhe me urdhër të Mehmet Shehut, çdo njeri që futej në Shqipëri në muajt vijues duhet t’u nënshtrohej masave parandaluese. E ndërsa jemi në shkurt të 1971, në aeroport do të ketë kontrolle, mënyra për dezinfektim të të huajave që vijnë në Shqipëri. Një praktikë e tillë me edhe ekipin kombëtar të RF Gjermane. Sapo kanë zbritur në Rinas, drejtuesit, futbollistët i kanë detyruar të lagin duart e të fusin këpucët në një basen me ujë të dezinfektuar gjatë kalimit në aeroport. Këtë e tregon edhe fotoja e publikuar nga Franc Bekenbauar në albumin e tij “Schau’un mer mal”, ku poshtë saj lexojmë: “Franzit iu desh të lante, fuste duart në një enë me tretësirë dezinfektuese. Kjo supozonte të vriste të gjitha mikrobet kapitaliste”. Vite më vonë vetë Beri Vogts, i ardhur për ndeshje në Shqipëri, e kujtonte edhe këtë fakt.

NË PRITJE TË SKUADRËS

Skuadra kombëtare e RF Gjermane zbriti në aeroportin e Rinasit me një avion çarter të hënën e 15 shkurtit në mesditë dhe me autobusë “FAP” të Parkut të Delegacioneve u drejtuan te hotel “Dajtit”, i vetmi që plotëson te kushtet dhe i priste të gjithë, skuadra, personalitete etj.. Turma njerëzish qëndronin në pritje kur autobusi morri kthesën dhe ndaloi në shkallët e mermerta të tij, por askush nuk mundi të afrohej, pasi gjithçka ishte e kontrolluar. Ndërsa qëndronin në hotel, lojtarët të shtyrë nga kuriozitet dilnin në ballkone, deri kur errësira mbuloi qytetin dhe vetëm Bekenbauer i shoqëruar bëri një shëtitje të vogël. Ndryshe nga ekipet apo klubet që kishin ardhur, apo erdhën më vonë në Tiranë, gjermanët nuk sollën ushqime dhe kuzhinier me vete. Nga ndeshja e 1967 vinin vetëm Nezer, Overat dhe trajneri Shën. RF Gjermane është hera e dytë që vjen në Shqipëri, në kombëtarin tiranas. Më parë kanë qenë Overat, Netzer, madje Overat dhe me ekipin e Këlnin, më 1964 për Kupën e Kampioneve. Për të mos përsëritur disfatën e 4 viteve më parë, 0-0 eliminues, trajneri Shën për takimin e 17 shkurtit do të sjellë në Tiranë skuadrën më të madhe, më të famshme dhe më triumfuese të të gjithë kohërave historisë së futbollit gjerman, kampione Evrope më 1972 dhe kampione Bote më 1974. Nga Majer, Vogts, Beckenbauer, Heinkes, Grabovskit, Overta, Netzer, Myler, deri edhe milanistin Karl Heinz Shnelinger. Për të cilin ka refuzim nga klubi italian për të udhëtuar në Tiranë, por pa mundur ta ndalojnë të jetë i pranishëm në atë përballje. Skuadra vjen në Rinas me një avion të veçantë të hënën në mesditë dhe e shoqërojnë gazetarë, fotografë gjermanë, interesim i madh edhe prej tyre. Për të ndjekur takimin UEFA ka dërguar Sekretarin e Përgjithshëm H. Bangerter. Sistemimi, në hotel “Dajti”. Vetëm 1 një muaj më parë, RFGJ-ja kishte barazuar 1-1 me Turqinë në Dortmund.

PANO LULO DHE FOTOT TE STALINI

Ndërsa shoqërues i delegacionit gjerman ka qenë Besim Fagu, kryetar federate, përkthyesi i tyre ishte stomatologu shumë i njohur për kryeqytetasit, Pano Lulo, i diplomuar në Gjermani. Folës, njohë i gjuhës, ai do të jetë miku i tyre sa herë që Bekenbauer ka ardhur në Tiranë vite më vonë, njeriu i parë që kërkonte takonte ka qenë Pano Lulo. Surprizë do të jetë çasti kur kanë dalë për shëtitje, në bulevard, pranë hotelit, Majer, Myler dhe Bekenbauer kanë parë monumentin e Stalinit. Të befasuar dhe me preferenca antiHitler kanë shfaqur interes, dëshirën duke i kërkuar Panos për t’i bërë foto me Stalinin. Foto të cilat Iljaz Ceco ia dorëzoi Bekenbauerit para sfidës së kthimit në Karlsruhe, gjatë një feste të organizuar me rastin e 50ë ndeshjeve të tij me Kombëtaren.

“BLACK OUT” NË KRYEQYTET

E martë paradite, për Tiranën ka qenë një “black out” total i paparë, kur studentë, nxënës, qendra pune, të gjithë në ndjekje të stërvitjes së gjermanëve. Të martën, në pritje që ata ta zhvillonin në mesditë, u informua se do ta bënin paradite. Autobusi me lojtarët rreth orës 10:00 mori rrugën drejt bulevardit, me njerëzit vrapuan drejt “Qemal Stafës”, por stafi gjerman duke parë terrenin e rënduar të kombëtarit, iu drejtuan “Dinamos” për stërvitje. Drejt “Tiranës së Re”, pas tij u vinë të gjithë, me vrap, me biçikleta dhe rruga u bllokua, pasi turma që vraponte ishte e madhe, madje edhe vetë policia u ndodh e papërgatitur për këtë situatë. Gjatë një orë stërvitjeje, në stadium kanë qenë më shumë njerëz se në një ndeshje, duke qëndruar në shkallë e në bordurat e fushës dhe të tjerët në shkallët e “Dinamos” që kishte hapur dyert, pasi ishte e pamundur t’i mbante mbyllur. Dëshira për t’i parë nga afër futbollistët gjermanë ishte jashtë çdo logjike.

KËPUCËT

Dy episode me protagonistë Bekenbauerin dhe Netzerit. Me kërkesën modeste të Pano Lulos, pas ndeshjes ai ka dhuruar këpucët e tij nr. 41-42, të cilat Pano ia dha Namik Jarecit, mikut të tij. Në vitet si arbitër, Jareci me to ka arbitruar, shpesh në mjaft takime kur kemi qenë bashkë, duke biseduar më ka rrëfyer historinë e tyre. Ndryshe me ato të Gunter Netzerit. Pas stërvitjes në “Dinamo”, qëllimisht ai i la këpucët në dhomën e zhveshjes të stadiumit. Për shumë kohë ato kanë qarkulluar nga një futbollist te tjetri edhe pse me nr. të madh, 46-të, të gjithë futbollistët kanë tentuar, i kanë përdorur duke i vendosur pambuk, me dëshirën për të mbajtur, luajtur një ndeshje me këpucët e Netzerit.

PRAGSFIDA

Ka qenë tejet e vështirë të gjeje një biletë për atë takim. Gjithçka me autorizim dhe planifikim për ndërmarrje, institucione, klube, ndërmarrje, “Heronj të Punës”, të dalluar, nga 3 copë për futbollistët e etj.. Nga çmimi normal, në ndeshjet ndërkombëtare ai dyfishohej, 60 lekë tribuna qendrore, 40 ajo përballë dhe 20 ato anësore C-E. Sigurisht, qarkullonin edhe ato false. Stadiumi kombëtar ka një kapacitet minimal të lënë trashëgimi nga ndërtuesit, projektuesit italianë. Vetëm me një unazë në ato vite. Mjaft shikues qëndronin në këmbë e ulur rreth 20.000 veta. Në sektorin e autoriteteve si zakonisht ishte ajo pjesë qendrore e tribunës e rezervuar për udhëheqësit e partisë, anëtarët e byrosë, ministra, të Komitetit Qendror etj.. Forcat e rendit të angazhuara gjatë gjithë takimit, kishin vendosur kufizime e kontrolle përreth e në hyrje të stadiumit. Një “privilegj” iu bë vetëm të njohurit Ali Pazari, që iu la një vend për biçikletat, të cilat i sistemonte dhe i ruante, ndërsa zona para stadiumit ishte krejtësisht e boshatisur, pasi aty do të qëndronin automjetet e zyrtarëve, ambasadave etj.. Gazetarët, fotografët, telekronistët shqiptarë e ata gjermanë u vendosën në vijat kufizuese të fushës, ndërsa e gjithë Shqipëria me veshët në valët Radio Tiranës me zërat e Ismet Bellovës e Aleko Gjergos dhe para televizorëve të markave “Dajti”, “Iliria”, “Butrinti”, duke ndjekur takimin në komentin e Skifter Këlliçit. Sfida ka qenë e vlerësuar në maksimum edhe nga UEFA, që për të ndjekur takimet e dyfishta kishte sjellë Sekretarin e Përgjithshëm Hans Bangerter. Ndërsa publiciteti në stadium tejet modest, i kufizuar për kohën. Vetëm disa njoftime në kryeqytet për ndeshjen dhe të zakonshmet banera në stadium: “Sport, Punë, Kalitje, Shëndet”, “Më Shpejt, më Larg, më Lart”, “Gati për punë, gati për mbrojtje” e ato politike “Të ndërtojmë socializmin me forcat tona”, “Lavdi Marksizëm-Leninizmit” etj., që nuk kishin lidhje me ndeshjen. Dhe tabela e madhe prej dërrase në sektorin “E”, që tregonte orën dhe golat, në të cilën numrat vendoseshin me shkallë nga një person. Para takimit, me altoparlant spektatorët u informuan për formacionet.

NË ELBASAN TREMBEN NGA RRUGA

Pa ndaluar në Tiranë, skuadra gjermane nën 21 vjeç u nis direkt për në Elbasan, sepse të martën do të luante me moshatarët shqiptarë të drejtuar nga Skënder Dedja dhe Refik Resmja. Për të ndjekur sfidën, një delegacion me zyrtarë të federatës gjermane, me ta edhe Bekenbauer, udhëtuan të martën për në Elbasanit. Të trembur nga rrezikshmëria që i shoqëroi përgjatë kthesave në lartësi të Qafës së Kërrabës, për kthim ata kërkuan një tjetër mundësi për të udhëtuar drejt Tiranës, duke marrë rruga e vjetër e Peqinit. Ndeshja u mbyll 2- 0 për gjermanët, duke evidentuar disa lojtarë për kombëtaret, si Pernaska apo Brajtner etj..

TE “DONIKA”, SEKRET FORMACIONI

Skuadra Kombëtare shqiptare kishte një muaj e grumbulluar në hotel “Vollga” në Durrës, ndërsa stërvitjen, madje dy herë në ditë, e bënte në stadiumin e qytetit. Vetëm dy ditë para ndeshjes me autobusin e “Partizanit” e shofer Estref Bejlerin, ajo erdhi në Tiranë duke u vendosur në hotel “Donika”, i njohur dhe tradicional për sistemimin dhe qëndrimin e sportistëve. Në prag të takimit me RF Gjermane, në mungesë të firmave të njohura “Adidas” e “Puma”, që nuk operonin në Shqipëri, nga FSHF-ja u porositën këpucë futbolli “Adidas” në Beograd, me të cilat futbollistët luajtën, por me kushtin që pas takimit duhet t’i dorëzonin. Ndërsa fanellat ishin prodhim vendi, mbi të cilat u qep stema e Republikës. Gjatë dy ditëve nuk pati asnjë koment e deklaratë nga stafi për formacionin antigjerman, të cilin Boriçi do ta shpallte në një sallë të hotel “Donika” disa orë para ndeshjes dhe pa praninë e medias. Edhe skuadra gjermane ishte nën presionin e shtypit dhe trajneri Shën për të evituar çdo koment e kishte mbajtur “sekret” formacionin, të cilin do ta zbulonte në Tiranë, para takimit duke deklaruar: “Ne do të nxjerrim skuadrën më të fortë”.

Vijon nesër….

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura