I ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin Studio24, Edvin Kulluri u ndal te propozimi i kryeministrit Edi Rama për ndryshime në Kodin Penal, duke e cilësuar atë si një lëvizje me qëllim të qartë politik.
Sipas Kullurit, iniciativa për ndërhyrje në Kodin Penal nuk ka të bëjë me përmirësim të sistemit të drejtësisë, por me mbrojtjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën është kërkuar heqja e imunitetit dhe pezullimi nga detyra.
Kulluri akuzoi Ramën se po përdor shumicën parlamentare për të ndryshuar rregullat e lojës në momentin kur drejtësia po vepron. “Po përdoret Parlamenti dhe Kodi Penal për të mbrojtur një individ dhe për të shmangur përgjegjësinë”, u shpreh ai.
Kulluri: Kjo çështje nuk është thjesht ligj apo Kushtetutë, por mbi të gjitha vullnet politik. Çdo reformë ka një ligj dhe një institucion, por nëse mungon vullneti politik, dy të tjerat nuk funksionojnë.
Sistemi i drejtësisë është i pavarur për mënyrën si funksionon. Institucionet e kontrollit nuk janë të kryeministrit, por janë të pavarura. “Check and balance”, që na e shpjegon ky “mësues vizatimi”, do të thotë kontroll dhe balancim reciprok. Kur Edi Rama jep leksione për ndarjen e pushteteve, kujt ia jep?
“Check and balance” nënkupton kontroll të ndërsjellë mes pushteteve. Rama dhe Berisha, në vitin 2008, i dhanë një goditje këtij sistemi duke e kthyer Parlamentin në shtojcë të qeverisë. Prej 13 vitesh, Parlamenti nuk kontrollon realisht aktivitetin e ekzekutivit. Më thoni një komision që ka ushtruar siç duhet kontroll parlamentar.
Është marrë në kontroll edhe pushteti vendor, përmes këshillave bashkiakë – një cenim i drejtpërdrejtë i autonomisë vendore. Para se të japë leksione, ky “mjeshtër” duhet të lexojë fillimisht Magna Carta: qeveritarët janë të barabartë para ligjit.
Nuk mund të vjedhësh 5 mijë lekë fara luledielli pa të hedhur prangat, ndërsa këta bëjnë çfarë të duan. Pse kërkohet pezullimi? Si deputete, nuk ka fuqi të intimidojë dëshmitarët; si ministre, patjetër që po. Janë komunikimet me vartësit e saj që ngrenë dyshime.
Sa më shumë të zgjasë kjo histori, aq më e rëndë bëhet. Çdo prokuror, kur konstaton shkelje të ligjit, kërkon kufizim ose heqje lirie. Ky po përdor Parlamentin dhe Kodin Penal për të mbrojtur Belinda Ballukun dhe veten.
Thotë “L’état c’est moi”. Me këtë mendësi, përfundon në burg. Ose do të vazhdojmë në trasenë demokratike, ose do të kthehemi në vitin 1996. Ai arrin deri aty sa të gjykojë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kush është ky që i gjykon ata? Del dhe manipulon opinionin publik. Sot nuk pranon as pezullimin, jo më heqjen e imunitetit.
© Panorama.al












