“Duan të na marrin pronat!”- Banorët e Baks-Rrjollit në protestë për ndërtimin e resortit turistik në tokat e tyre me firmë të Ballukut: S’kanë bërë dëgjesa me ne! Bashkia të na dalë zot

Feb 9, 2026 | 13:41

Protesta e pronarëve të tokave në Baks-Rrjoll të Velipojës, u zhvendos këtë të hënë përpara Prokurorisë së Shkodrës, ku depozituan kërkesë zyrtare për dhënien e një zgjidhjeje të shpejtë ligjore mbi vërtetësinë e dokumenteve që disponojnë për pronësinë e tokës, ku kanë nisur punimet për ndërtimin e një resorti turistik, leje e cila është firmosur nga Belinda Balluku.

Banorët thonë se dokumentacioni që ata zotërojnë provon pronësinë e ligjshme të tokës dhe kërkojnë nga organet e drejtësisë që çështja të trajtohet me prioritet, duke shmangur zvarritjen e mëtejshme të procesit.

Më tej, banorët protestuan edhe përpara Bashkisë Shkodër, ku kërkuan sqarim nga kryebashkiaku Benet Beci, nëse institucioni që ai drejton ka apo jo kompetencë për dhënien e lejes së ndërtimit për investitorin.

Duan të na marrin të gjithëve pronat, jo një familjeje por të gjitha fashit. Kërkojmë që Bashkia të vijë të flas me ne, të na tregoj se si është proceduar për të marrë këtë leje ndërtimi. Të na thonë se pse Bashkia Shkodër, qe duhet të jetë në mbrojtje tonë, nuk reagon fare. Si është marrë kjo leje, kush e ka dhënë, në bazë të çfarë kriteresh e kanë dhënë dhe kush është pyetur. Asnjëri nga ne nuk është pyetur.

Dëgjesa publike që ata pretendojnë se kanë bërë, nuk është bërë me banorët e Rrjollit. I kemi shkruar, i keni kërkuar gjithë kohës të reagojnë, askush nuk ka reaguar. I lutemi shumë të dalin të reagojnë dhe të mbrojnë qytetarët. Të na japin një zgjidhje për problemin që kemi”, tha një qyetare e pranishme në protestën para Bashkisë.

Po ashtu, edhe një tjetër prej qytetarëve është shprehur për mediat se nuk kanë asnjë informacion mbi dëgjesa publike që pretendohet se janë bërë me banorët për ndërtimin e resortit.

Në dijeninë e tij, ai tha se asnjë prej tyre nuk ka qenë i pranishëm në këto takime, madje, edhe Bashkia Shkodër në një përgjigje për ta është shprehur se nuk ka marrë pjesë. Ata kërkojnë nga

“Këtu jemi paraqitur për të bërë një kërkesë kryetari të Bashkisë, i cili ka marrë votat nga ne, të na përfaqësojë për çdo problem që ne kemi. Problemi jonë është i pronave. Ne protestojmë këtu ditë për ditë, kemi 8 ditë që bëjmë protestë. Sot në Bashki kemi ardhur të dimë se si ka proceduar bashkia lidhur me dokumentacionin që i ka dhënë firmës së Bashkim Ulajt, për të nxjerrë lejen. Detyra e Bashkisë ka qenë edhe dhënia e lejes për territorin e saj. Megjithëse Edi Rama i ka heq kompetencat e bashkive për zonat turistike, kjo zonë turistike i përket qarkut Shkodër.

E para është se në një dokumentacion që më ka dërguar Bashkia në përgjigjen e saj, më ka thënë që momentalisht dëgjesa publike nuk është bërë, por kemi dijeni. Ne nuk kemi qenë prezentë, duam të dimë nëse është bërë apo jo kjo dëgjesë. Nëse është bërë, kush ka qenë prezentë dhe dua të njihemi me dokumentin se cilët kanë qenë ata fshatarë që kanë firmosur. Çështja tjetër është a ka kompetence Bashkia Shkodër mbi atë territor, cila është kompetenca e saj që ti jap leje ndërtimi një firme nga Tirana dhe bashkia të mos jetë përgjegjëse për territorin e saj. Ne rrimë me shprese, mendojmë se do gjejmë një zgjidhje, e cila duhet të jetë e mirë për ne, sepse kemi dokumentacion për pronësinë tonë.

Dëgjesa nuk është bërë fare me ne. Nuk mund të marrë leje pa dëgjesë. Bashkia në një rast më thonë “po është bërë, por në nuk kemi qenë prezent’. Si bëhet pa qenë një jurist i bashkisë që të na tregojë si shkoj ajo dëgjesë publike, cilat ishin reagimet e njerëzve. Si mund të marrësh leje ndërtimi pa dëgjesë publike, këto janë ato që në kemi për të thënë këtu”, tha ai.

Banorët e Baks-Rrjollit vijojnë protestën kundër ndërtimit të resortit turistik në pronat e tyre për të shtatën ditë. Për rastin, mësohet se pronarët e tokave kanë depozituar kallëzim edhe në SPAK.

© Panorama.al

Te lidhura