Lajmi është sensacional! Ndoshta unik në historinë e drejtësisë së re shqiptare! Mbi 30 persona në arrest me burg dhe arrest shtëpie në kuadrin e megaskandalit të kontrabandës së mijëra tonëve mbetje të rrezikshme, që kompania “Kurum” i nisi nga porti i Durrësit drejt Tajlandës më 2024. Kush e lejoi një çmenduri të tillë? Afërmendsh, ndërmjet të arrestuarve ka jo vetëm përfaqësues të firmës private “Kurum”, por edhe plot përfaqësues “shtetërorë”, shtatë nga administrata e Portit të Durrësit dhe shtatë nga ajo e “Mjedisit”.
Të krijohet kështu iluzioni se drejtësia s’të fal kushdo që të jesh. Për më tepër që ndërmjet të arrestuarave ka edhe gra, nëna fëmijësh, të cilat përfundojnë në burg ose arrest shtëpie pa gjyq. S’ka pse ankohet “Prestigj Resort” që u rrafshua pa gjyq një ditë fundjave të paqshme me shumë turistë brenda. S’ka pse ankohet as Ilir Meta që është në birucë pa gjyq e aq më pak Erion Veliaj, që vetë e ka duartrokitur me të dyja duart këtë drejtësi popullore dhe mediatike përpara se kjo t’i binte edhe atij zverkut. Por, fatkeqësisht, si në çdo teatër iluzionesh, e gjitha kjo që po ndodh me arrestimet në kontrabandën e mbetjeve nga Porti i Durrësit është sa për konsum publik. Po t’i analizosh gjërat më nga afër, rezultojnë dy fakte edhe më skandaloze se vetë skandali që po hetohet.
Çështja shumë e rëndë, ndonëse në grup të organizuar për nga numri i lartë i arrestimeve, është marrë paradoksalisht nën hetim jo nga SPAK, por nga Prokuroria “normale” e Durrësit, e cila nuk është sekret për askënd, ka mjete dhe burime njerëzore shumë më të kufizuara se SPAK.
Sa serioze është ky vetëmënjanim i SPAK-ut? Por, situata bëhet edhe më cinike kur drejtësia e Durrësit i tregon pamëshirshëm dhëmbët deri në arrestim si të drejtoreshës aktuale të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ashtu edhe ish-drejtoreshës së këtij institucioni të lartë shtetëror. Sigurisht, është kollaj për prokurorinë të çojë prapa hekurave, ose në arrest shtëpie “peshq të vegjël”, dy zonja drejtuese ose ish-drejtuese dikasteri mjedisi si Marjeta Përlala, apo Arta Dollani, plus shtatë zyrtarë të tjerë të kësaj agjencie. E njëjta situatë edhe në Portin e Durrësit.
Është më kollaj për Prokurorinë e Durrësit të çojë prapa hekurave ose në arrest shtëpie, “peshq të vegjël” si dy inspektorë të Autoritetit Portual dhe nja pesë nëpunës të Doganës së Durrësit, sesa të marrë në pyetje ish-drejtorin e përgjithshëm të Portit, Pirro Vengu (sot ministër i Mbrojtjes), apo ministren që e emëroi dhe që e kishte nën varësi në momentin e skandalit të mbetjeve të “Kurumit”, një farë Belinda Balluku…
Asnjëherë La Fonten, autori më i madh në botë në historinë e fabulave s’ka qenë më aktual sesa sot në aktualitetin shqiptar: “Sipas fuqisë dhe pushtetit që ke e që gëzon, drejtësia të lë të lirë, ose të copëton…”.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












