Analisti Fatos Lubonja komentoi sot nismën e kryeministrit Edi Rama për ndryshimet ligjore, me qëllim kufizimin e drejtësisë për të mos pezulluar zyrtarët e lartë të disa institucioneve, duke marrë shkas nga precedenti i pezullimit të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Sipas tij, problem nuk është i Ligjit 242 dhe kompetencave, por vetë kryeministri Rama, që tani e ka problem ligjor dhe moral. Sepse nuk po vepron me një standard si në precedentët Ahmetaj apo Veliaj, duke e trajtuar ndryshe rastin Balluku, që po e merr në mbrojtje.
Lubonja tha se Rama deri tani ka bërë propagandë me SPAK për ta shitur si reformë në drejtësi te ndërkombëtarët, kurse tani po i vë kufirin.
“Çështja është hapur, unë nuk jam jurist, jam konsultuar me njerëz që dinë, edhe me literaturë për këtë çështje. Ka një problem ligjor. Rama foli për boshllëk ligjor. Është boshllëku i zotit Rama kryesori, moral dhe politik i zotit Rama. Pse nuk ka aplikuar të njëjtin standard dhe nivel arsyetimi me rastin Ahmetaj, apo qoftë edhe me rastin Veliaj. Në momentin që SPAK e mori nën hetim, e shkarkoi përpara, ka bërë e nja dy të tjera. Rasti Veliaj ishte edhe i zgjedhur nga populli, kërkoi shfajësimin e tij dhe e holli Kushtetuesja poshtë. Në rastet e para Rama i mori të mirëqena kërkesat e SPAK të bazuara në disa fakte. Pra është bërë apo jo korrupsioni, qëndrojnë akuzat apo jo, e mori dyshimin e SPAK të arsyeshëm, e i hapi rrugën. Këtu nuk e mori parasysh akuzën e SPAK, s’e shkarkoi, as nuk u dorëhoq”, tha Lubonja në studion e “News 24”, mbrëmjen e sotme (16 shkurt).
Më tej ai shpjegoi se përse po vepron Rama në këtë diskurs politik dhe ligjor në këto momente.
Shkaku kryesor është lëvizja e SPAK që po i shkon afër kreut të qeverisë, por ai nënvizoi se nuk e di nëse drejtësia e ka forcën dhe guximin për të shkuar edhe më shumë. Ndërsa theksoi edhe lojën politike të kreut të mazhorancës, duke përdorur masat dhe propagandën.
“Pse e bën Rama këtë? Për ta mbrojtur më vonë, në atë që njihet çoroditje e masave me një çështje tjetër, ndërkohë që pyetja është a ka bërë apo jo korrupsion. SPAK duhet ta kishte kërkuar që në fillim arrestin dhe dorëheqjen. Dhe duket se Rama e la drejtësinë se do na fuste në Evropë apo se do e mbronte, ndërkohë që e ka përdorur SPAK për propagandë. Lajmi sot është ky, se i vuri kufirin SPAK. I tha se “marrëveshjen që kemi është se do vini deri këtu”, nuk mund të vini përtej dhe nisi këtë me termat e ndryshimeve ligjore”, vijoi ai.
Analisti mendon se tani maska e reformës në drejtësi ka rënë dhe se SPAK po i vendoset kufiri.
“Problemi është fuqia e SPAK, a ka guxim SPAK të shkojë te Rama, ta marrë të pandehur bashkë me Ballukun. Krimi që kanë bërë është i qartë. Kjo është loja e Ramës. Rama do mbulojë krimet që ka bërë. Dhe kështu SPAK shkon te Kushtetuesja dhe Kushtetuesja te SPAK, ia hedhin topin njëra-tjetrës, dhe duket se po bëhet reformë në drejtësi, ndërkohë që ky është fundi i maskës së reformës”, u shpreh Lubonja.
© Panorama.al












