Rikonstruksioni i rrugëve në zonën e Fushë-Krujës prej vitesh ka mbetur thjesht premtim elektoral. Kështu shprehen banorët e Urës së Gjolës, të cilët u ngritën në protestë për ndërtimin e aksit që i lidh me autostradën Fushë Krujë-Vorë.
“Hidh zhavorr dhe hidh baltë, kjo gjendje ka vite. Jemi ankuar, por nuk pyet kush për ne a jemi gjallë apo vdek. Nëse nuk marrin masa, qeveria ne do të shkojmë në bashki dhe më pas do bllokojmë rrugën. Të jenë në dijeni Rama, Ballukja apo stërllukja, se këta na kanë marrë në qafë”, tha një banor.
Megjithëse në të gjithë gjatësinë e saj rruga është plot gropa e pellgje me ujë, në të nuk janë kryer asnjëherë investime serioze. Për rrjedhojë banorët thonë se aksi është bërë i pakalueshëm.
Kalimi i autoambulancave apo zjarrfikëseve në këtë rrugë është i pamundur thonë banorët, duke shtuar se nëse nuk marrin një përgjigje konkrete nga Bashkia e Krujës për ndërtimin e rrugës, do të bllokojnë autostradën Fushë Krujë-Vorë.
Banorët thonë se ishin ndër më të prekurit nga shpronësimet për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar, kohë në të cilën iu është premtuar edhe ndërtimi i rrugës së Urës së Gjolës. Premtim që mbeti pas me kohën.
© Panorama.al











