Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen për shkak të ndryshimeve ligjore që propozoi ditën e djeshme, konkretisht nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale.
Në konferencën e sotme për mediat, kryedemokrati theksoi se atë nuk ka dashur të bëjë Kushtetuta për çështjen e pezullimit nga gjykata të kryeministrit e kabinetit qeveritar, nuk mund të bëhet me ligj. Duke i cilësuar si një “amendament Rama-Balluku”, Berisha tha se ndryshimet e propozuara nga PS janë një akt marrëzie.
“Edi Rama duhet të japë menjëherë dorëheqjen. Ai po konsumon çdo orë, çdo ditë që qëndron në detyrë grushtin e shtetit brenda shtetit. Në një akt antikushtetues, tepër të rrezikshëm, ka paraqitur amendamentin Rama-Lubia, Rama-Balluku, me të cilin kërkon t’i japë ministrit, t’i japë zëvendëskryeministrit dhe kryeministrit atë mbrojtje që Kushtetuta nuk ia ka dhënë. “, tha Berisha.
Berisha u shpreh se kryeministria, ministritë dhe KLSH janë organe kushtetuese dhe si të tilla, nuk mund të ketë mbrojtje tjetër “përveç asaj që i ka dhënë Kushtetuta”. Kryedemokrati përmendi edhe një vendim të Gjykatës në vitin 2002, që sipas të cilit, gjykata hodhi në “kosh” ligjin e paraqitur asaj kohe për të krijuar një mburojë më të madhe për kreun e KLSH.
Ai akuzoi kryeministrin se “kërkon të shkelmojë jo vetëm frymën dhe germën e Kushtetutës, por edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
“Kur në vitin 2002, parlamenti në një akt marrëzie si ky që duan të bëjnë tani, miratoi ligje dhe amendamente për të mbrojtur kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, vendimi numër 212 i vitit 2002 i Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese hodhi në kosh të plehrave amendamentet, ligjin e ndryshuar për një mburojë më të madhe të kryetarit të KLSH, që Edi Rama sot do t’ia japin.”, shtoi Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Edi Rama duhet të japë menjëherë dorëheqjen. Ai po konsumon çdo orë, çdo ditë që qëndron në detyrë grushtin e shtetit brenda shtetit. Në një akt antikushtetues, tepër të rrezikshëm, ka paraqitur amendamentin Rama-Lubia, Rama-Balluku, me të cilin kërkon t’i japë ministrit, t’i japë zëvendëskryeministrit dhe kryeministrit atë mbrojtje që Kushtetuta nuk ia ka dhënë.
Mirëpo, ka një parim themelor të sanksionuar në frymën e germën e Kushtetutës. Sipas të cilit, për funksionet kushtetuese të organeve atë që nuk ka dashur të bëjë Kushtetuta, nuk mund ta bëjë ligji. Kushtetuta nuk ka dashur të mbrojë kryeministrin, ministrat dhe KLSH nga pezullimi. Nuk mund ta bëjë ligji. Kemi të bëjmë e organe kushtetuese. Kryeministria është organ kushtetues, KLSH është organ kushtetues.
Ministritë janë organe kushtetuese. Nuk mund t’i japësh kurrë mbrojtje tjetër përveç asaj që i ka dhënë Kushtetuta. Jo. Sepse është tejkalim flagrant i Kushtetutës. Kjo nuk buron vetëm nga fryma e germa e Kushtetutës, por edhe nga vendimet direkte të Gjykatës Kushtetuese, të cilat për çdo vend janë të barabarta me normën e Kushtetutës. Kur në vitin 2002, parlamenti në një akt marrëzie, s ky që duan të bëjnë tani, miratoi ligje dhe amendamente për të mbrojtur kryetarin e KLSH.
Vendimi numër 2012 i vitit 2002 i GJK. GJK hodhi në kosh të plehrave amendamentet, ligjin e ndryshuar të paraqitur për një mburojë më të madhe të kryetarit të KLSH, që Rama sot do t’ia japë.
© Panorama.al











