Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar këtë të enjte rreth orës 17:50 në aksin kombëtar Elbasan–Librazhd, në fshatin Mengël, Njësia Administrative Labinot-Fushë, në territorin e Bashkisë së Elbasanit.
Sipas burimeve nga vendngjarja, një automjet tip autoveturë, që dyshohet se po lëvizte me shpejtësi, ka humbur kontrollin gjatë qarkullimit. Për pasojë, mjeti ka dalë nga korsia e rrugës dhe është përplasur me forcë me barrierat mbrojtëse anësore.
Si pasojë e përplasjes së fortë, automjeti është dëmtuar pothuajse plotësisht, duke pësuar shkatërrime të mëdha në pjesën ballore dhe anësore.
Burimet bënë me dije se drejtuesi i automjetit është Klement Balla, banues në fshatin Griqan. Ai ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit. Po për fat të keq nuk mbijetoi dot pasi gjendja e tij shëndetësore paraqitej e rëndë.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të mjetit, e favorizuar nga shpejtësia e lartë, ndërsa pritet që ekspertiza teknike dhe hetimet e policisë të përcaktojnë me saktësi shkaqet e këtij aksidenti të rëndë.
© Panorama.al












