Zyrtare, pezullohet Bosnjë-Hercegovina

Apr 2, 2011 | 11:13

Është zyrtare: FIFA dhe UEFA kanë pezulluar pa afat Federatën Boshnjake të Futbollit nga të gjitha aktivitetet sportive ndërkombëtare. Lajmi është bërë publik dje në faqet zyrtare të internetit të dy organizmave më të mëdha të futbollit. Vendimi ishte paralajmëruar që më parë, pasi Federata Boshnjake nuk pranoi adaptimin e statutit të propozuar nga FIFA dhe UEFA. Komitetet Ekzekutive të këtyre dy organizmave, i FIFA-s më 28 tetor të vitit 2010 dhe UEFA-s më 4 tetor të vitit 2010-të, u kërkuan boshnjakëve që të adaptonin statutin e tyre, si minimum për zgjidhjen e problemit të brendshëm që ka kjo Federatë. Paralajmërimi i fundit u bë më 31 mars, por i refuzuar nga Asambleja e Federatës Boshnjake. Mbledhja e fundit nuk arriti kuorumin e nevojshëm për të pranuar këto propozime, pasi vetëm 22 delegatë nga 54 të pranishëm votuan në favor të kësaj kërkese, duke i sjellë humbjen e menjëhershme të anëtarësisë në UEFA dhe FIFA, deri në një vendim të dytë. Ky pezullim e përjashton futbollin e këtij vendi  nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare që nga data 1 prill, deri në zgjidhjen e problemit. Gjithsesi, drejtuesit e kësaj Federate do të kenë rreth 2 muaj kohë për të gjetur një zgjidhje, përpara se FIFA e UEFA të marrë një vendim përfundimtar për përjashtimin total të saj. Ndeshjen e radhës Bosnjë-Hercegovina do ta luajë me Rumaninë më 3 qershor. Me këtë pezullim, nëse gjithçka nuk zgjidhet, të gjitha pikët e luajtura e fituara apo të humbura nga kjo përfaqësuese bëhen zero, që do të thotë se ne na hiqet një pikë nga barazimi i ndeshjes së parë e zbresim në vendin e tretë me 7 pikë nga 8 që kemi aktualisht. Franca, kryesuesja e grupit, zbret në kuotën e 9 pikëve nga 12 që ka aktualisht, por mban kreun e grupit, ndërsa Bjellorusia mbetet në vendin e dytë në kuotën e 8 pikëve, pasi nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje me Bosnjën.

Konflikti

Delegatët e Kuvendit të Federatës Boshnjake, të mbledhur para pesë ditësh dështuan në tratativat për të ndryshuar statutin e Federatës, përkatësisht nenin 1 rreth organizimit, kusht ky i UEFA-s dhe FIFA-s. Rregulli 1 i statutit konsiston në vendosjen e një presidenti me një mandat katërvjeçar. Ndërkohë që, aktualisht, në Federatën Boshnjake udhëheqin me rotacion çdo 16 muaj, presidentë mes tre etnive bazë: myslimane, kroate e serbe.

Grupit D/ Gjendja aktuale

Rumani-Shqipëri             1-1
Francë-Bjellorusi            0-1
Bjellorusi-Rumani            0-0
Shqipëri-Luksemburg            1-0
Luksemburg-Bjellorusi            0-0
Francë-Rumani                2-0
Bjellorusi-Shqipëri            2-0
Francë-Luksemburg            2-0
Luksemburg-Francë            0-2
Shqipëri-Bjellorusi            1-0
Rumani-Luksemburg            3-1
03/06/2011
Bjellorusi-Francë
07/06/2011
Bjellorusi-Luksemburg
02/09/2011
Shqipëri-Francë
Luksemburg-Rumani

Renditja
Ekipi    ND    F    B    H    GSH    GP    P

1. Franca    4    3    0    1    6    1    9
2. Bjellorusia    5    2    2    1    3    1    8
3. Shqipëria    4    2    1    1    3    3    7
4. Rumania    4    1    2    1    4    4    5
5. Luksemburgu    5    0    1    4    1    8    1
Shënim: Bosnja e pezulluar, i zerohen të gjitha pikët.

© Panorama.al

Te lidhura