Shpërthen skandali në klubin e njohur anglez, akuza për ngacmime sek*uale ndaj pronarit

Jun 11, 2026 | 16:19

Pronari i Uest Hem, David Sullivan, ka përfunduar në shënjestrën e drejtësisë britanike.

west ham angli

Pikërisht ndaj tij ka akuza për sjellje seksuale shfrytëzuese ndaj vajzave të reja dhe adoleshenteve.

Sipas një investigimi të përbashkët të publikuar nga “BBC” dhe “Times”, shtatë femra kanë dalë me pretendime kundër 77-vjeçarit.

Disa prej tyre e akuzojnë se ka ushtruar presion për marrëdhënie seksuale në këmbim të favoreve profesionale, ndërsa të tjera e përshkruajnë sjelljen e tij si grabitqare.

Pretendimet përfshijnë edhe akuza se Sulivan ka paguar për marrëdhënie seksuale me një vajzë 16 ose 17-vjeçare gjatë viteve 1990.

Megjithatë, si pas raportimeve, një veprim i tillë nuk konsiderohej vepër penale sipas ligjit britanik deri në vitin 2003. Pas publikimit të akuzave, “Independent Football Regulator” (IFR) ka nisur një hetim për të vlerësuar përshtatshmërinë e Sulivan si pronar klubi.

Institucioni deklaroi se bëhet fjalë për akuza “jashtëzakonisht serioze” dhe se do të përdorë kompetencat ligjore për të kërkuar informacion urgjent.

IFR, i krijuar vitin e kaluar për të mbikëqyrur standardet e drejtimit në futbollin anglez, ka autoritetin të ndërhyjë në rastet kur sjellja e drejtuesve mund të dëmtojë integritetin dhe reputacionin e sportit.

Nën presionin e zhvillimeve të fundit, Sulivan dha dorëheqjen nga posti i bashkëkryetarit të Uest Ham gjatë fundjavës, duke përmendur publikimin e afërt të akuzave historike. Megjithatë, ai mbetet aksioneri më i madh i klubit londinez me 38.8 për qind të aksioneve.

Mediat britanike raportojnë se, nëse hetimi arrin në përfundimin se Sullivan nuk plotëson kriteret e përshtatshmërisë, rregullatori mund ta detyrojë atë të shesë pjesën e tij në klub. Nga ana tjetër, biznesmeni britanik ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat. Në një deklaratë publike, ai i cilësoi pretendimet si “plotësisht të rreme dhe faktikisht të pasakta”, ndërsa paralajmëroi se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj “BBC”-së për shpifje.

Hetimi është ende në fazat e para dhe deri më tani nuk është ngritur asnjë akuzë penale ndaj Sulivan. Megjithatë, çështja ka shkaktuar reagime të forta në futbollin anglez dhe mund të ketë pasoja të rëndësishme për të ardhmen e tij te Uest Hem. /Panorama Sport/

© Panorama.al

Te lidhura