
Bukurie Mata, nëna e vajzës 6-vjeçare të zhdukur në Kukës rreth një vit më parë, është marrë në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas deklaratave të saj se Bleona Mata gjendet në Tiranë.Burime nga grupi hetimor thanë se gjatë këtyre ditëve Prokuroria ka marrë në pyetje shtetasen Bukurie Mata, pas shqyrtimit të deklaratave të dhëna prej saj në media, ku ka pretenduar se 6-vjeçarja e zhdukur mbahet diku në Tiranë. Më 29 mars 2010, në një intervistë për gazetën “Panorama”, Bukurie Mata, nëna e vajzës së zhdukur, shprehu dyshimet e saj se Bleona Mata po mbahej e fshehur në Tiranë nga rrëmbyesit e saj. Prokuroria u vu në lëvizje menjëherë pas hedhjes së këtij versioni, ndërsa duarkryq nuk qëndroi as policia e kryeqytetit, e cila kreu verifikimet e nevojshme në disa zona. Veprimet hetimore nuk arritën të konfirmojnë pretendimet se vajza e zhdukur mbahej diku e fshehur në Tiranë, megjithatë Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka thirrur për të dhënë deklarime nënën e vajzës së zhdukur, për të mësuar burimin e informacioneve që e kishin bërë atë të deklaronte një fakt të tillë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, gjatë dëshmisë së saj në Prokurori, Bukurie Mata nuk ka dhënë ndonjë detaj apo fakt konkret në lidhje me versionin e mbajtjes së Bleona Matës diku në Tiranë. Sipas burimeve hetimore, deklarata në media e nënës së Bleona Matës ishte nxitur nga disa telefonata anonime të bëra në adresë të familjes dhe tek emisioni “Njerëz të humbur”, që pretendonin se Bleona Mata ishte parë në Tiranë në praninë e dy personave. Prej tetë muajsh, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar në hetim dosjen penale mbi zhdukjen e Bleona Matës, pas hetimeve të para nga policia dhe Prokuroria e Kukësit. Dosja u transferua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas dyshimeve që tregonin se vajza 6-vjeçare mund të ishte rrëmbyer nga persona të paidentifikuar. Gjatë hetimeve, policia dhe Prokuroria kanë verifikuar disa pista, mes të cilave humbja e 6-vjeçares në pyll, rrëmbimi me qëllime kriminale dhe një sërë variantesh të tjera në lidhje me ngjarjen. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë pohuar se dosja penale për zhdukjen e Bleona Matës, është aktualisht pranë pezullimit për t’u kthyer në polici me kërkesën “për zbulim autori”. Sipas Prokurorisë, në dosje mungojnë provat për pistën e ngjarjes në lidhje me shkakun e zhdukjes së 6-vjeçares, si dhe autorët e mundshëm të krimit.
3 pista kryesore janë verifikuar nga policia dhe Prokuroria në lidhje me zhdukjen e Bleona Matës. Humbja, rrëmbimi dhe kryerja e krimeve të tjera ndaj vajzës kanë qenë variantet kryesore të hetimit
2 muaj kanë zgjatur kërkimet në të gjithë zonën e fshatit Zapod në Kukës, pas zhdukjes së Bleona Matës. Policia shqiptare ka krehur zonën deri në kufi me Kosovën pa gjetur gjurmë të së zhdukurës
Zhdukja e vogelushes 6-vjecare
Bleona Mata, 6 vjeçe, humbi gjurmët më 22 maj 2010 në fshatin Zapod të Kukësit. Ajo ndodhej në një kullotë pranë banesës së familjes së saj, së bashku me katër vajza të tjera të të njëjtit trung familjar. Bleona Mata ka humbur gjurmët, teksa ka mbetur vetëm në pyll, duke qenë se halla e saj është larguar pas bagëtive, ndërsa vajzat e tjera janë larguar nga vendi ku kishin ngrënë bukë të gjitha së bashku në kullotë. Në vendin e ngjarjes është gjetur xhupi i Bleona Matës dhe disa mbeturina ushqimesh, por nuk është arritur të gjenden prova të tjera.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











