Konferenca Gjyqësore Kombëtare zgjodhi dje dy anëtarët më të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.Në mbledhjen e Konferencës morën pjesë 288 gjyqtarë, nga gjykata të ndryshme të vendit, të cilët votuan për nëntë kandidaturat e paraqitura për dy vendet e lira të KLD-së. Pas një votimi me dy raunde, për shkak të mospërmbushjes së shumicës së nevojshme të votave për një nga kandidatët në raundin e parë, përfundimisht fitues u shpallën gjyqtarët Hysen Saliko dhe Dritan Caka. Gjatë punimeve të konferencës nuk munguan debatet, ku më i “nxehti” ishte ai për përjashtimin nga votimi për dy nga kandidatët. Lista e djeshme fillestare e kandidatëve përbëhej nga 11 emra, por dy prej tyre u skualifikuan para votimit. Pak para votimit, dy nga kandidaturat, ato të gjyqtarëve Gjin Gjoni dhe Artur Gaxha u përjashtuan, pasi Komisioni vërejti se nuk u takonte të kandidonin. Përzgjedhja e dy anëtarëve të rinj u bë për shkak të përfundimit të mandatit të anëtarëve të KLD-së Hysni Demiraj dhe Artan Gjermeni.
MBLEDHJA
Me një pjesëmarrje të konsiderueshme, Konferenca Gjyqësore Kombëtare nisi punimet dje rreth orës 10:00. Në fjalën hapëse kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, theksoi se takimi i djeshëm ishte në vazhdën e Konferencës së 15 nëntorit 2010. Në emër të kryetarit të Komisionit të Verifikimit të Kandidaturave, gjyqtari Gerd Hoxha kërkoi dje hedhjen në votë për përjashtimin e dy emrave nga lista e kandidatëve. Sipas Komisionit, gjyqtarët Gjin Gjoni, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranës dhe Artur Gaxha, gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, duhet të përjashtoheshin nga votimi. Kjo me argumentin se gjykata në të cilat ata ushtrojnë funksionin e gjyqtarit kanë përfaqësues në KLD. Përzgjedhja e mënyrës së votimit solli ilaritet dhe debat në sallë. “Mos na vini në siklet para kolegëve. Të bëhet votim i fshehtë”, ishte një nga pretendimet nga salla. Më pas, rreth orës 11:52 me votim të hapur, ngritje dore, u vendos përjashtimi i gjyqtarëve Gjoni dhe Gaxha nga kandidimi.
ANETARËT E RINJ TË KLD
Pas dy raundesh votimi, komisioni i votimit shpalli fitues të dy vendeve vakante në KLD, gjyqtarët kandidues Hysen Saliko, gjyqtar i Gjykatës së Apelit Vlorë dhe Dritan Caka, gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje. Raundi i parë i votimit shpalli fitues gjyqtarin Caka me 165 vota pro. Ndërkohë, dy kandidatët e tjerë pas tij më të votuar ishin Hysen Saliko me 138 vota pro dhe Valbon Çekrezi me 79 vota pro. Për shkak se asnjëri prej të dyve nuk kalonte shumicën e nevojshme, mbi 145 vota, iu nënshtruan një raundi të dytë votimi. Në përfundim të tij, numri i votave tregoi një shumë prej 174 vota pro për kandidatin Saliko dhe 104 vota për kandidatin Çekrezi. Referuar CV-ve të tyre personale, mësohet se Dritan Caka është arsimuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në vitit 1994-1998 dhe Shkollën e Magjistraturës, Tiranë në 1998-2001, më një notë mesatare 9.5. Po sipas formularit të tij personal të paraqitur në Gjykatën e Lartë, Hysen Saliko ka ndjekur studimet në Fakultetin e Drejtësisë Tiranës, në periudhën 1991-1994 dhe Master në Shkencat Civile në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në 2006-2009, me mesatare 7.6. Përveç dy emrave të përzgjedhur si fitues të vendeve të KLD-së dhe dy kandidatëve të përjashtuar, gjyqtarët e tjerë kandidatë në votim ishin Agim H. Ferizaj, Valbon Cekrezi, Astrit Kalaja, Pajtime Fetahu, Avni Sejdi, Arben Zefi dhe Hasan Selimi.
Votimi në konferencë
Agim H. Ferizaj, Valbon Çekrezi,
Astrit Kalaja, Gjin Gjoni,
Hysen Saliko, Pajtime Fetahu,
Avni Sejdi, Dritan Caka,
Arben Zefi, Hasan Selimi
Artur Gaxha
Përjashtohen nga votimi:
Gjin Gjoni dhe Artur Gaxha
Raundi i parë i votimit
Dritan Caka 165 vota
(përzgjidhet anëtar i KLD-së)
Hysen Saliko 138 vota
Valbon Çekrezi 79 vota
Raundi i dytë i votimit
Hysen Saliko 174 vota
(përzgjidhet anëtar i KLD-së)
Valbon Çekrezi 104 vota
Mandati i anëtarit të KLD, 5 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje
Sipas ligjit për KLD-në, ky institucion përbëhet nga 15 anëtarë. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe 9 gjyqtarë, të të gjitha niveleve, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare”, thuhet në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Sipas të njëjtit ligj, mandati i anëtarit të zgjedhur të Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbaron kur është plotësuar afati 5-vjeçar i qëndrimit në këtë detyrë. Referuar të njëjtit parashikim ligjor, pas mbarimit të mandatit, anëtari i KLD-së nuk ka të drejtë rizgjedhjeje. Sipas përcaktimit ligjor, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, duhet të jenë gjyqtarë prej jo më pak se 10 vjetësh. Ndërkohë që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që zgjidhen nga Kuvendi, duhet të jenë juristë jo gjyqtarë me një përvojë jo më pak se 15 vjet në profesion.
Armand Bajrami











