Partia Socialiste nuk e firmosi marrëveshjen e partive parlamentare për zgjedhjet e 8 majit.Në tryezën e tretë të partive parlamentare, opozita dhe maxhoranca nuk arritën të dilnin me një variant të vetëm të marrëveshjes, të mbështetur nga të gjitha palët. Socialistët kërkuan ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor, ndërsa të djathtët e përjashtonin këtë kusht dhe në zbatim të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it për këto zgjedhje. Përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri, nuk pranoi të firmoste marrëveshjen, ndërsa ajo u firmos nga përfaqësuesit e PD, LSI, PR dhe PDIU. Marrëveshja e re, ku përfshiheshin dhe disa nga kërkesat e PS-së, kishte 22 pika dhe garantonte një klimë besimi për zgjedhjet e 8 majit. Në nisje të tryezës, kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi, u shpreh entuziast se dy palët, pozita dhe opozita, në rang ekspertësh kishin sjellë në tryezë një draft-marrëveshje gati të pranueshme nga të gjitha palët, e cila në thelb do të ketë mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore të 8 majit, duke u shprehur optimist se dhe PS do ta pranonte variantin e punuar mes dy partive. Por, përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri, theksoi se edhe pse ekspertët nga opozita bashkëpunuan me ekspertët e maxhorancës, në dokument nuk u shtua një pikë që PS e konsideroi themelore dhe thelbësore për zgjedhjet vendore. Gjiknuri argumentoi se drafti nuk plotëson kushtin kryesor të parashtruar nga opozita, që është transparenca postelektorale. “Të kemi parasysh se marrëveshjet janë marrëveshje, se duhen zbatuar dhe zgjidhur problemet që kanë pasur në themel zgjedhjet e tjera. Ne propozuam çështje krejt esenciale, pohoj në mënyrë intensive, kemi komunikuar me PD dhe kemi zgjidhur shumë pika. Por, çështja është tek elementet më esenciale, transparenca postzgjedhore, kjo është thelbësore. Ne nuk duam që kjo krizë të vijojë pas zgjedhjeve. Çdo ndërhyrje do të ishte e pranueshme për zgjedhjet. E kuptojmë dhe ODIHR-in që shprehet se nuk duhen ndryshime në Kodin Zgjedhor, por këtu është dhe thelbi, çdo ndryshim ligjor nuk ka të bëjë me procesin aktual, por bëhet fjalë për ndryshime ligjore që impaktin e kanë 4 muaj pas zgjedhjeve. Kërkojmë garanci për transparencën”. Gjiknuri theksoi se kjo nuk do të thotë se PS është kundër draft-marrëveshjes. “Ne nuk mund të nënshkruajmë një marrëveshje ku nuk përfshihet transparenca postzgjedhore. Jo se nuk kemi vullnet, kemi vullnet dhe kemi ende kohë të diskutojmë dhe ta shtojmë dhe këtë pikë që prek thelbin e krizës që kaloi vendi, dhe në rast se zgjidhet kjo, zgjidhet dhe kriza e krijuar”. Patozi tha dje se nëse PS nuk e firmos, maxhoranca do të angazhohet të zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes për të garantuar zgjedhjet e 8 majit.
Rekomandimet
Kreu i Grupit demokrat, Patozi, theksoi se kjo nuk është çështje e partive, por e institucioneve si OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias. “Kur biseduam thatë se nuk kishte asnjë kusht. Tani ne bëmë një përpjekje, në disa raste të sforcuar, në mënyrë që disa nga kërkesat tuaja t’i pranojmë. Nuk është mirë që palët të ulen, të kushtëzojnë njëra-tjetrën. Duke pasur parasysh kushte tuaja, ne arritëm që disa prej tyre t’i materializojmë: transparenca për listat, por garancitë për transparencë postzgjedhore nuk mund të bëhen pa miratimin e OSBE-ODIHR-it dhe Komisionin e Venecias. Ne ishim gati t’i pranonim këto ndryshime, por vetëm nëse kalonin në filtrin e OSBE-ODHIR-it. Ne dëshirojmë, duke shprehur keqardhjen për PS-në dhe konstatojmë se opozita nuk i kapërcen dot interesat e ngushta që ka për këtë proces. Ne mbetemi të angazhuar që draft-marrëveshjen që kemi para, ta zbatojmë që nga dita sot e deri sa zgjedhjet të mbarojnë”. Ndërkohë, Luan Rama nga LSI-ja, Shpëtim Idrizi i PDIU-së dhe Arian Madhi nga PR-ja, u shprehën se janë gati ta firmosin marrëveshjen dhe akuzuan PS-në se nuk po shpreh vullnetin për t’u dhënë lajmin e mirë shqiptarëve, se janë gati të kontribuojnë pozitivisht për mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore më 8 maj.
Negociatat
marreveshja si e propozoi ps
Në funksion të transparencës së procesit elektoral, si kusht për konsolidimin e besimit të qytetarëve te vota e lirë, si dhe për një rezultat zgjedhor të gjithëpranuar nga palët, partitë bien dakord të bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore menjëherë për garantimin e transparencës postzgjedhore të procesit, duke krijuar eksesin e duhur në të gjithë materialin zgjedhor për qëllime hetimore apo për çdo aspekt tjetër që ndikon në rritjen e transparencës ndaj publikut dhe aktorëve të përfshirë në këtë proces. Ndryshimet gjithashtu të garantojnë të drejtën e pakicës në komisionet zgjedhore, për të verifikuar apo hetuar çdo dokumentacion zgjedhor, pa asnjë kusht paraprak dhe pa iu nënshtruar një procesi vendimmarrjeje kufizuese për të kryer një procedurë të tillë, të çdo aspekti zgjedhor. Kufizimet mund të jenë sasiore, por jo cilësore.
Partitë politike, në përmbushje edhe të rekomandimeve 12 dhe 13 të OSBE-ODIHR-it, i kërkojnë qeverisë të mundësojë me anë të akteve të brendshme administrative, akses në nivel qendror dhe raportim të plotë në format elektronik për përfaqësuesit e partive politike, për të gjitha ndryshimet në listën paraprake të zgjedhësve sipas çdo njësie vendore, me qëllim bërjen transparent të këtij procesi, duke përcaktuar gjithashtu transparencë në përdorimin e listave për efekt të procesit të votimit dhe shpalljes së tyre publike.
marreveshja si u firmos
Partitë vlerësojnë se Kodi Zgjedhor siguron transparencë maksimale në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Europës për zgjedhje demokratike, nëpërmjet garantimit dhe përdorimit efikas të së drejtës për vëzhgim, monitorim dhe akses të papenguar të çdo aspekti të procesit zgjedhor, balancimit të plotë të komisioneve zgjedhore, të aksesit dhe pjesëmarrjes së çdo subjekti në procesin e votimit, në atë të numërimit të siguruar në mënyrë të veçantë përmes të drejtës së kontestimit të aspekteve të numërimit nga çdo subjekt zgjedhor dhe përdorimit të teknologjisë mbështetëse, përdorimit të instrumenteve ankimore administrative dhe gjyqësore, si dhe çdo instrumenti tjetër paszgjedhor të parashikuar nga legjislacioni në fuqi për identifikimin, shqyrtimin dhe analizimin e çdo problematike.
Partitë konstatojnë që çdo ndryshim në listat paraprake të zgjedhësve dokumentohet dhe bëhet vetëm nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore pranë zyrave të gjendjes civile nën juridiksionin e tyre, mbi bazën e Kodit Zgjedhor, ligjit të Gjendjes Civile, udhëzimeve të Ministrisë së Brendshme të nxjerra në përputhje me Kodin Zgjedhor. Partitë i rekomandojnë Ministrisë së Brendshme të vërë në dispozicion të tyre listat paraprake dhe ato finale, në version read only (vetëm për t’i lexuar), së bashku me version aktiv të tyre ku ky i fundit lejon përpunimin dhe krahasimin e të dhënave dhe identifikimin e ndryshimeve të bëra gjatë periudhës së rishikimit të listave paraprake, si dhe aktet nënligjore që kanë normuar këtë proces.
Berisha me vëzhguesit e ODIHR: Reforma, pas 8 majit
Kryeministri Berisha u takua dje me kreun e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it, Jonathan Stonestreet, ku u diskutua për zgjedhjet lokale të 8 majit. Sipas njoftimit për shtyp, Berisha tha gjatë takimit se për qeverinë cilësia e procesit ka rëndësi maksimale, duke qenë se garanton të drejtat themelore të zgjedhësve dhe përbën një kolonë të rëndësishme në procesin e integrimit të vendit. “Ai e njohu Misionin me reformat e ndërmarra për modernizimin e infrastrukturës zgjedhore, veçanërisht në arritjen e një saktësie shumë të lartë të listave të zgjedhësve. Duke shprehur keqardhjen për mungesën e vullnetit të opozitës për të trajtuar në kohë rekomandimet e raportit të vitit 2009, kryeministri rikonfirmoi gatishmërinë e maxhorancës për një reformë zgjedhore konsensuale pas përfundimit të zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin për shtyp të qeverisë.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











