Zgjedhjet, dështim i përsëritur drejt BE-së?!

Apr 2, 2011 | 10:06

ARBEN MALAJ

Nëse zgjedhjet vendore realisht do të kenë si qëllim të vetëm zgjedhjen e kryetarëve dhe të parlamenteve vendore, ato nuk duhet ta përkeqësojnë situatën politike në vend. Por, pa filluar mirë, ato rrezikojnë të jenë një garë e mbingarkuar politike, rrezikojnë të acarojnë akoma më shumë ambientin tonë politik, duke e bërë më të vështirë situatën politike pas tyre.
Nëse ndodh kështu, ne, të zgjedhurit politikë të këtij vendi, në mënyrë të papërgjegjshme do t‘i shkaktojmë vendit dështimin e përsëritur të ngeljes në klasë në procesin e integrimit të tij.
Disa nga pasojat e zvarritjes së zgjidhjes së krizës politike dhe vazhdimi i kësaj krize edhe pas zgjedhjeve vendore mund të jenë:
1. Rrezikohemi të humbasim për herë të dytë statusin e vendit kandidat të BE-së. Pasoja politike do të jetë rritja e agresivitetit të  debatit politik për fajtorët e dështimit, duke e mbajtur politikën larg debateve kritike për sfidat reale ekonomike, sociale dhe politike të vendit.
2. Dështimi i përsëritur krijon efekte negative ekonomike e sociale, pasi vonon aksesin në politikat dhe fondet konkrete të BE-së që u ofrohen vetëm vendeve kandidate.
3. Situata e një krize të tejzgjatur dëmton rëndë qeverisjen e vendit në të gjitha elementet e saj, ku keqqeverisja, korrupsioni dhe kapja e shtetit  mund të përkeqësohen.
4. Vazhdimi i kësaj krize të tejzgjatur e bën më të vështirë çdo garë elektorale, duke nxitur populizmin me politikat ekonomike e fiskale, duke rrezikuar përkeqësimin e financave publike, duke i bërë më të thella dhe më të dhimbshme paketat antikrizë për rikthimin e stabilitetit.
5. Kriza e tejzgjatur politike në vend, humbja e përsëritur e statusit të vendit kandidat, së bashku me keqqeverisjen e vendit, mund të dëmtojnë rëndë një nga avantazhet historike të Shqipërisë si inspiruesja dhe investituesja më e mirë në promovimin e paqes, prosperitetit dhe integrimit europian.
Shqiptarët, në të gjitha sontazhet ndërkombëtare, janë mbështetësit më të fortë të integrimeve euroatlantike. Të tillë janë shqiptarët në Shqipëri, shqiptarët në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Shqiptarët në të gjitha trojet shqiptare janë mbështetësit më të qartë të anëtarësimit të vendeve tona në NATO. Shqiptarët janë partnerët më të përkushtuar në aleancat kundër terrorizmit dhe pro paqes e prosperitetit rajonal dhe global.
Shqiptarët në të gjitha trojet e tyre kanë përballë sfida jo të lehta për të ardhmen, të cilën kurdoherë e bazojnë te vlerat më të mira të lirisë dhe prosperitetit dhe ëndërrojnë që së bashku me të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, të jenë sa më parë pjesë reale e vlerave dhe standardeve të Europës së Bashkuar.
Ne e vlerësojmë integrimin tonë euroatlantik si road map-in më të mirë të rritjes së mundësive për më shumë stabilitet, më shumë siguri, paqe dhe për më shumë prosperitet, për çdo vend të rajonit dhe për të gjithë së bashku.
Duke mos i fshehur, zvogëluar apo duke marrë parasysh kostot që na sjell kjo krizë politike, ne duhet të ulim çdo risk për të ardhmen tonë, ne duhet të bindemi pse këto zgjedhje janë një test publik për përgjegjësitë tona për një nga prioritetet më të rëndësishme kombëtare, integrimin europian të vendit tonë.
Do të bëhen ata më të sigurt dhe më optimistë për të ardhmen e tyre, apo do të vazhdojnë të paguajnë  kostot e rënda të politikës së grindjeve dhe konfliktive politike?
Kjo përgjegjshmëri duhet të verifikohet gjatë dhe menjëherë pas zgjedhjeve. Duhet të verifikohet përgjegjshmëria për daljen nga kriza. Do të verifikohet efekti në përshpejtimin e integrimit të vendit apo papërgjegjshmëria për ngeljen në klasë për të dytin vit rresht. Duhet të verifikohet përgjegjshmëria për të mos krijuar asnjë kosto shtesë në jetën e përditshme të çdo shqiptari.

© Panorama.al

Te lidhura