Zgjedhjet, deficiti arrin 11 miliardë lekë

Apr 23, 2011 | 10:54

Deficiti buxhetor në tre muajt e parë të vitit ka kapur vlerën 11.6 miliardë lekë.Të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave për treguesit fiskalë të periudhës janar-mars nxjerrin në pah edhe shpenzimet kolosale që janë bërë vetëm në këta tre muaj. Hendeku mes të ardhurave dhe shpenzimeve realisht ka arritur nivelin më të lartë të njohur prej disa vitesh, madje ky deficit nuk u arrit as në vitin 2009, që sikurse viti 2011, ishte një vit elektoral. Por si janë treguesit e buxhetit sipas viteve, duke filluar nga viti 2011 dhe deri në vitin 2009, përsa i përket realizimit të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe deficiti buxhetor në këto tre vite? Kështu, pavarësisht se realizimi i të ardhurave ka ecur pozitivisht, duke shënuar 77.6 miliardë lekë të ardhura në arkën e shtetit, gjatë tremujorit shpenzimet kanë kapur vlerën 89.3 miliardë lekë, duke shprehur marshin që i ka dhënë qeveria potencialit të saj të shpenzimeve. Përgjithësisht është e dukshme që shpenzimet në investimet publike kanë zënë peshën kryesore të “portofolit” bujar që është vënë në dispozicion këtë vit. Në vitin 2010, deficiti buxhetor, në 3-mujorin e parë të vitit, ishte pothuajse zero, duke shënuar një diferencë prej 699 milionë lekësh mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të ardhurat në periudhën janar-mars 2010 ishin 76.4 miliardë lekë, në ndryshim nga shpenzimet që ishin 77.7 miliardë lekë. Viti 2009, që ishte edhe një vit elektoral, ka një deficit më të lartë sesa viti 2010, por shumë më të ulët sesa viti 2011. Të dy vitet, në kontekstin e zgjedhjeve që i përkufizon, qëndrojnë njëlloj, por jo në atë të shpenzimeve. Gjatë vitit 2009, deficiti, në ndryshim nga sivjet, që është 11.6 miliardë lekë për 3-mujorin, ishte vetëm 3.7 miliardë lekë. Realizimi i të ardhurave gjatë vitit 2009 ishte 72.2 miliardë lekë, kurse shpenzimet 76 miliardë lekë. Ky ndryshim i madh mes shpenzimeve dhe të ardhurave për vitin 2011 lidhet me investimet e mëdha publike që qeveria ka tenderuar në muajt e parë të këtij viti. Për 2011-n në buxhet është parashikuar që të ketë një deficit rreth 3.5 për qind, por me ritmin e marrë në këta tre muaj duket se ky nivel nuk do të jetë i mundur të mbahet. Gjithsesi, kjo mund të balancohet në vijim nga qeveria nëse do të jetë më e kursyer se zakonisht me shpenzimet dhe nëse realizimi i të ardhurave do të vijojë sipas parashikimit, gjë që deri tani ka ecur sipas planit. Përgjithësisht, deficiti buxhetor është financuar nga tregu i brendshëm përmes ankandeve të zhvilluara për shitjen e bonove të thesarit, të cilat, të ndikuara nga kërkesa, kanë pësuar një rritje të vazhdueshme të interesit, edhe pse në vlera modeste.

Deficiti janar-mars në 3 vite

Viti 2011
Të ardhura         77.6 miliardë lekë
Shpenzime          89.3 miliardë lekë
Deficiti               11.6 miliardë lekë

Viti 2010
Të ardhura         76.6 miliardë lekë
Shpenzime          77.1 miliardë lekë
Deficiti              699 milionë lekë

Viti 2009
Të ardhura           72.2 miliardë lekë
Shpenzime         76 miliardë lekë
Deficiti              3.7 miliardë lekë

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura