TIRANË- Garë në kushte të pabarabarta dhe me një KQZ manipulatore e që vepron në shkelje të ligjit. Kështu ka deklaruar deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, një ditë para nisjes zyrtare të fushatës elektorale për pushtetin vendor. Ai ka akuzuar KQZ-në për veprimin e një ditë më parë, heqjen e emrave të partitive përbërëse të koalicionit “Aleanca për të ardhmen” nga fleta e votimit, duke e lënë kandidatin për Tiranën, Edi Rama pa siglën e PS-së.
“Fushata nis me një KQZ tërësisht në shkelje të hapur të ligjit, që firmos shkresat nga zyra e qeverisë. Në një seancë turpi në prani të medias, pa asnjë vetëpërmbajtje shumica në KQZ deformoi përmbajtjen e fletës së votimit duke hequr nga lista partitë e koalicionit ‘Aleanca për të ardhmen’. Mosshënimi i emrave të partive përbërëse të “Aleancës për të ardhmen”, kur kjo është bërë për forcat e qeverisë, është një shenjë e qartë edhe për ata që kanë iluzione për funksionimin e këtij institucioni”,- tha Xhafa, në një deklaratë për mediat nga selia e PS-së.
Ai ka akuzuar KQZ-në se e fut proçesin në shina të rrezikshme dhe për këtë PS nuk mund të ketë besim tek ajo dhe te kreu i saj.
“Ne nuk mund të respektojmë abuzuesit e pamoralshëm me ligjin. Kjo vendimarrje përbën një cënim të rëndë të standardeve zgjedhore. I kërkojmë partnerëve ndërkombëtarë të reagojnë në mënyrë të paanshme ndaj shkeljeve të tilla të ligjit. Ne i bëjmë një apel kolegjit zgjedhor që të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin. Secili do të përgjigjet një ditë për krimin zgjedhor në këtë vend. Prokuroria të hetojë çdo rast të shkeljes së ligjit”, tha ai.
Sipas tij, pavarësisht se PS hyn nesër në një garë të pabarabartë, ajo është e vendosyr të denoncojë cdo deformim, të numërojë cdo votë dhe të bëjë cdo sakrificë për mbrojtjen e vullnetit të shqiptarëve.
© Panorama.al











