Sekretet e fundit të publikuara nga Wikileaks, tregojnë se Departamenti Amerikan i Shtetit, në mënyrë të fshehtë, ka financuar kundërshtarët e Presidentit sirian, Bashar al Asad. Gazeta “Washington Post” shkruan se dokumentet tregojnë se Departamenti amerikan i Shtetit ka dërguar më se 6 milionë dollarë amerikanë, prej vitit 2006, për një grup sirian në mërgim për kanalin satelitor “Barada TV”, me seli në Londër, si dhe grupet e tjera opozitare brenda Sirisë. Nuk dihet nëse financimi vazhdon ende, por Uashington Posti shkruan se financimi ishte lënë mënjanë gjatë shtatorit të vitit 2010. DASH-i ka refuzuar të komentojë autenticitetin e mesazheve. Prej një muaji, Siria është përfshirë nga protestat kundër regjimit të Bashar al Asadit. Presidenti ka ndërruar kabinetin qeveritar dhe ka premtuar reforma, por kjo nuk i ka ndalur protestat. Të paktën tetë persona mbetën të vrarë dje në përballjet midis forcave të sigurisë dhe protestuesve antiqeveritarë në qytetin Homsi. Sipas “Associated Press”, përballjet u nxitën nga lajmërimi i vdekjes së një lideri të rëndësishëm fisnor në një burg. Ndërkohë një kamera amatore ka filmuar forcat e sigurisë siriane, duke hapur zjarr mbi turmën që merrte pjesë në një funeral të viktimave të një dite më parë. Katër persona mbetën të vrarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.











