Vrau për hakmarrje, ekstradohet

Apr 15, 2011 | 11:34

Një person i akuzuar për vrasje me motiv hakmarrjen, u ekstradua dje nga Greqia për të vuajtur dënimin e dhënë në Shqipëri me 23 vjet burg.Haxhi Kuqja akuzohet për vrasjen e një bashkëfshatari të tij, të cilin e ka ekzekutuar për hakmarrje, pasi i kishte vrarë të atin. Menjëherë pas vrasjes, Kuqja, në atë kohë 30 vjeç, u largua nga vendi i ngjarjes dhe më pas u arratis jashtë kufijve të Shqipërisë. Arrestimi i tij ndodhi vetëm disa muaj më parë, në nëntor të vitit 2010, në Kallamata të Greqisë. Policia greke e vendosi në pranga shqiptarin me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Haxhi Kuqja u gjykua në mungesë nga Gjykata e Elbasanit, e cila e shpalli fajtor duke e dënuar me 23 vjet burg për vrasjen me paramendim të Belul Hoxhës, në fshatin Shalë. Pasditen e së mërkurës, Kuqja mbërriti i prangosur në Aeroportin e Rinasit dhe oficerët e Interpolit ia dorëzuan të dënuarin policisë së Elbasanit. Aktualisht 47-vjeçari ndodhet në burgun e Peqinit, ku u transportua menjëherë pas verifikimeve në polici.
VRASJA PER HAKMARRJE
Drejtoria e Policisë së Elbasanit ekzekutoi dje vendimin e ndalimit të shtetasit Haxhi Ibrahim Kuqja, i cili që nga viti 1994 ishte person i shpallur në kërkim për veprën penale të “vrasjes me paramendim”. Ndërsa Policia e Shtetit njoftoi dje zyrtarisht për ekstradimin e 47-vjeçarit nga Greqia drejt dhomave të paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Elbasanit, prokurori i rrethit, Elvin Gogaj, tregon për gazetën “Panorama” detajet e vrasjes së ndodhur në vitin 1994 në fshatin Shalës, rreth 20 kilometra larg Elbasanit. Sipas Gogajt, Haxhi Kuqja, në atë kohë rreth 30 vjeç, ka vrarë me armë gjahu shtetasin Belul Hoxha për motive hakmarrjeje. Ngjarja, e cila ka ndodhur në vitin 1994, në fshatin Shalës të rrethit të Elbasanit, sipas Gogajt, kishte për motiv hakmarrjen, pasi Belul Hoxha, vetëm pak muaj para se ta vrisnin, vrau me mjet bujqësie (furkë) babanë e Haxhi Kuqjes, shtetasin Ibrahim Kuqja. Sipas prokurorit, sherri mes dy familjeve në fshat ka nisur për motive banale.
I KERKUARI
Sipas prokurorit Elvin Gogaj, Haxhi Kuqja, menjëherë pasi ekzekutoi bashkëfshatarin, duke i marrë hakun babait, mundi të largohej nga vendi i ngjarjes dhe dyshimet ishin se ai u arratis drejt Greqisë. Policia menjëherë e shpalli në kërkim dhe më pas emri i tij u vendos në krye të listës së Interpolit, me personat në kërkim ndërkombëtar. Prokurori i rrethit, Elvin Gogaj, deklaron se të gjithë ata shtetas që kanë kryer vepra të ndryshme penale, para dhe pas vitit 1997, do të arrestohen, apo edhe ekstradohen, pasi të gjithë janë persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pas komunikimit të akuzës “vrasje me paramendim” dhe pasi është njohur me vendimin e gjykatës, Kuqja u transportua në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit.

 

Miranda Sadiku

© Panorama.al

Te lidhura