
Procesi i rigjykimit të Lavdërim Tufës në Gjykatën e Tiranës, për akuzën e vrasjes së Fatmir Ramës, të njohurit ndryshe si “Miri i Xhikes”, nxjerr detaje të reja mbi ekzekutimin e biznesmenit në 29 mars 2003.Në seancën e djeshme, dëshmia e drejtuesit të Sektorit të Shkencave Ligjore në Institutin e Policisë Shkencore “nxori në skenë” një tjetër të dyshuar për vrasjen e “Mirit të Xhikes”, në kompleksin “Kartodrom 2000” në Lundër. Bëhet fjalë për një person, i cili pak ditë pas vrasjes së Fatmir Ramës është gjetur i vdekur në liqenin e Baldushkut. Nga debatet mes palëve, dje u mësua se fije flokësh të kufomës së gjetur në liqen dhe kampione gjaku të saj i janë nënshtruar ekzaminimeve dhe procesverbalet përkatëse janë në dosje. Gjithashtu ato i janë nënshtruar krahasimeve me provat, fije floku dhe njolla gjaku, të gjetura pranë vendit ku u vra Fatmir Rama. Detajet u bënë të ditura dje gjatë pyetjes para gjykatës së dëshmitarit Ndoc Çardaku. Në dëshminë e tij, dëshmitari nuk bëri lidhje direkte mes ngjarjeve, duke pohuar “se ç’lidhje ka, atë e di organi i hetimit”. Çardaku u kërkua në proces si dëshmitar nga ana e prokurorisë. Thirrja e tij u bë, për shkak të një kërkese të mbrojtjes të Tufës në proces, nga avokati Avni Shehu, një seancë më parë. Avokati i kërkoi gjykatës të paraqiteshin në proces të gjitha provat materiale lidhur me shqyrtimin gjyqësor të Lavdërim Tufës. Sipas dëshmitarit, fija e flokut që i është nënshtruar analizës së ADN-së në Itali është shkatërruar, për shkak të specifikës së analizës. Dëshmitari paraqiti dje dy fije floku, të administruara si provë, të cilat sipas tij, nuk kishin vlera identifikuese. Në lidhje me provat materiale armë automatike, prokurorët sqaruan gjykatën dje, se ende nuk kishin marrë një përgjigje nga Policia Shkencore, për vendndodhjen aktuale të tyre. Në seancën e parafundit, dy ekspertë të thirrur në proces zbuluan identitetin SH.X., për një tjetër person të dyshuar si i përshirë në ekzekutimin e Ramës. Më poshtë botohet dëshmia e djeshme e Çardakut para gjykatës.
DESHMIA
Gjykata: Dëshmitar, në laboratorin tuaj ndodhet fija e flokut që ju përshkroi prokurori?
Dëshmitari: Në laboratorin tonë kemi shpjeguar se asgjësohej. Fija e flokut e gjetur në kapuçin me mbishkrimin “Champions”, me vendim të prokurorisë është dërguar për ekzaminim, mbi bazën e ADN-së, pranë policisë shkencore italiane.
Gjykata: Ndodhet tek ju? Nëse po, ku është?
Dëshmitari: Analiza që i bëhet fijes së flokut, është destruktive, shkatërruese. Kjo do të thotë që fija e flokut nuk ekziston më.
Prokurori: Është gjetur dhe një kapuç tjetër me mbishkrimin “Diadora”. A janë kryer nga ju ekzaminime si ekspertë dhe a ndodhet tek ju ky kapuç?
Dëshmitari: Kapuçin “Diadora” e kam ekzaminuar unë me aktekspertimin nr. 5081 datë 30.04.2003. Janë ekzaminuar dy xhaketa dhe kapuçi “Diadora”. Lidhur me kapuçin “Diadora” janë gjetur dy fije floku, që janë të administruara dhe ndodhen në kartotekën tonë.
Gjykata: A kanë vlera gjenetike?
Dëshmitari: Nuk kanë vlera identifikuese, pasi u mungon pjesa e poshtme e tyre e fijes së flokut.
Prokurori: Po rrobat ku janë?
Dëshmitari: E keni të shkruar në fund të aktit, që rrobat iu kthehen personit i cili ka tërhequr aktet nga sekretaria e Institutit të Policisë Shkencore. Unë nuk kam dijeni kush i ka tërhequr. Dërgimin për ekspertim e ka bërë një oficer i Policisë Gjyqësore të Komisariatit Nr.4. Nuk e di kush i ka tërhequr.
Avokati: Kush e konfirmon faktin që ato dy fije floku janë të pavlera? Se është e pamundur për t’u analizuar?
Dëshmitari: Për këto fije floku, nuk ka qenë kërkesë nëse ka apo nuk ka vlera identifikuese. Në aktin e ekspertimit thuhet që “u gjetën dy fije floku”. Këto fije floku janë parë nga ana ime me mikroskop me shikim të lirë. Jo së është bërë akt. Këto fije floku nuk kanë vlera. Nëse doni ta bëj me vendim, e bëj.
Avokati: Pse nuk është thënë në akt?
Dëshmitari: Nuk është thënë në akt, pasi nuk më është kërkuar.
Gjykata: Ku e keni thënë ju këtë?
Dëshmitari: Nuk e kam thënë në asnjë vend, pasi nuk më është kërkuar. Po të ma kishin kërkuar, do ta kisha thënë.
Avokati: A keni bërë ekzaminim tjetër të këtyre fijeve floku, veç këtij akti ekspertimi?
Dëshmitari: Këtyre fijeve floku, po.
Avokati: A është e vërtetë që ju keni bërë një akt-ekspertim me nr. 1734 të datës 9.05.2003, në lidhje me dy kapuçat?
Dëshmitari: Në lidhje me tre fijet e flokut që janë gjetur në vendngjarje, një në kapuçin “Champion” dhe dy në kapuçin “Diadora” nuk kam bërë.
Gjykata: Mund të na sqaroni për aktin 1734?
Dëshmitari: Akti nr.1734 ka të bëjë me dy kapuça me ngjyrë të zezë.
Avokati: Këto fije floku i janë nënshkruar ekzaminimit nga eksperti dhe është bërë krahasimi i tyre.
Dëshmitari: Këto fije floku nuk kanë lidhje me objektin e parë të aktit. Akti 1734 nuk ka lidhje me kapuçin.
Avokati: Ç’lidhje kanë me ngjarjen, që është bërë krahasim teknik, që është bërë nga ana juaj?
Dëshmitari: Kapuçi “Champion” dhe “Diadora” kanë qenë ngjyrë blu, ndërsa për dy kapuçat është bërë krahasim me fijet e flokut të viktimës të kufomës së gjendur në liqenin e Baldushkut. Se çfarë lidhjeje ka këtu, kjo është objekt i hetimit.
Avokati: Në pyetjet që janë bërë, thuhet “të krahasohet gjaku i kufomës me gjakun e gjetur në automatikun e ngjarjes së 29.3.2003, të krahasohet fija e flokut të kufomës me fijen e flokut të gjendur në kapuç”. Pra, bëhet fjalë për këtë kapuç. Të kufomës janë vetëm fijet e flokut.
Dëshmitari: Kapuçat janë këtu. Këto fije floku janë krahasuar më të viktimës. Nuk kanë lidhje me të parën.
Avokati: Po duke i krahasuar me të viktimës, a i keni përshkruar karakteristikat e fijes së flokut të gjendur në kapuç?
Dëshmitari: Tek akti i parë, ku janë fijet e flokut e gjendur në kapuçin me ngjyrë blu është dërguar në Itali, pa përshkruar karakteristika. Në aktin 8051 është ekzaminuar kapuçi ngjyrë blu i markës “Diadora”, ku ka dy fije floku pa vlera. Akti i ekspertimit 1734 janë ekzaminuar dy kapuça të tjerë me ngjyrë të zezë e janë nxjerrë vlerat mikroskopike. Dhe janë krahasime të fijes së flokut të kufomës që është gjendur në liqenin e Baldushkut.
Avokati: Në përfundim të aktit të ekspertimit 1566, keni thënë që “nuk rezulton prani e mbetjeve të tjera identifikuese”. E kishit mundësinë të përcaktonit, nëse në kapuç gjendej pështymë?
Dëshmitari: Jo, nuk e kishim mundësinë. Ne konstatuam nëse ka pështymë apo jo, falë disa agjentëve orientues. Nëse nuk na jep rezultat, japim përgjigje që nuk u evidentua.
Avokati: Në rastin konkret, rezultoi apo jo?
Dëshmitari: Nuk na rezultoi.
Avokati: Nëse ka objekte të tjera, i keni mundësitë për t’i përcaktuar.
Dëshmitari: Sot i kemi.
Avokati: Po atëherë?
Dëshmitari: Atëherë i kishim orientuese.
Avokati: Provat e tjera materiale si automatik, karikator plumbash, kampionët e krahasimit a janë dërguar në Itali?
Dëshmitari: Në Itali kanë shkuar kampionë nga njollat e gjakut. Automatikët nuk kanë shkuar në Itali. Nuk e di se ku ndodhen.
ARMAND BAJRAMI











