
Jetnor Nakoleci pranoi dje në Gjykatën për Krimet e Rënda autorësinë e vrasjes së oficerit të policisë, Roland Likaj, në Vlorë, në tetor të vitit 2010.”Po, vrasjen e oficerit të policisë në 18 tetor 2010 në ‘Çole’ të Vlorës, e kam bërë unë, me pistoletë”, është shprehur 25-vjeçari, Koleci përpara togave të zeza. Duke treguar pendesë të thellë për veprën e kryer, ai i ka kërkuar gjykatës që ta mbyllin në burg. Ndaj tij Gjykata për Krimet e Rënda caktoi dje masën e sigurisë “arrest me burg”, pa afat, për akuzat e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të policit Roland Likaj, në bashkëpunim si dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Po dje, në një seancë të mëvonshme, Gjykata për Krimet e Rënda la në masën ekstreme të sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve, Elidon Zeqon, 18-vjeçarin e akuzuar për të njëjtën ngjarje. Jetnor Nakoleci, Elidon Zeqo dhe Saleo Stojani u arrestuan të martën si autorët e dyshuar të vrasjes së oficerit të policisë.
PENDESA
Jetnor Nakoleci është 25 vjeç, ka lindur në Korçë, banon në Tiranë dhe nuk ka asnjë vit arsim. I ngritur në këmbë në kafazin e sallës nr.1 të Gjykatës për ,Krimet e Rënda, ai konfirmoi dje para gjykatës gjeneralitetet e tij, vetëm pak minuta para se salla të boshatisej nga publiku. Më pas, kryesuesja e seancës, gjyqtarja Etleva Deda, pranoi kërkesën e Prokurorisë për zhvillimin e një seance me dyer të mbyllura. Prokurori argumentoi se në dosje përmendeshin fakte dhe emra personash, publikimi i të cilëve mund të dëmtonte hetimet. Burime brenda seancës pohuan se i akuzuari Nakoleci pranoi që e kishte kryer ai vrasjen e oficerit të policisë Likaj, në Vlorë. “Po. Unë e vrava oficerin e policisë. E qëllova me pistoletë. Të tjerat janë siç i kam thënë më parë në polici. Jam i penduar për gjithçka ka ndodhur. Më lini në burg…”, u mësua të jetë shprehur i pandehuri. I pandehuri tjetër, Elidon Zeqo, mësohet të ketë pohuar praninë e tij në ngjarjen e vrasës së policit. Por para gjykatës ai është shprehur se nuk e kishte qëlluar ai viktimën Lika. Në përfundim të seancave, gjyqtarja Deda ka pranuar kërkesën e prokurorit Xhevat Hana për vlerësimin e ligjshëm të arrestimit dhe caktoi lënien në burg pa afat për Nakolecin dhe Zeqon.
VRASJA
“Ideatori” i vjedhjes së një vile trekatëshe në lagjen “Çole” të Vlorës mbrëmjen së 18 tetorit 2010, mësohet të ketë qenë autori i shumëpërmendur i vjedhjeve, Saleo Stojani. Për të përmbushur planin, ai ka marrë me vete edhe dy shokët e tij, Jetnor Nakoleci dhe Elidon Zeqo. Por kur i janë afruar banesës së “shënjestruar” ata janë vënë re nga oficeri i policisë, Roland Likaj. Polici Likaj është pikasur nga të rinjtë teksa po njoftonte në telefon kolegët e tij. Sipas hetimeve, Saleo Stojani dhe Elidon Zeqo kanë qenë pak metra para automjetit, brenda të cilit ndodhej policit Likaj. Në këtë moment, dyshohet se Jetnor Nakoleci është afruar tek automjeti i efektivit të policisë dhe e ka qëlluar me një plumb të vetëm në kokë.
Superhajduti Stojani i dënuar në Korçë, nuk u paraqit dje tek Krimet
Personi i tretë i akuzuar për vrasjen e efektivit Lika, superhajduti, Saleo Stojani, nuk u paraqit dje në Gjykatën për Krimet e Rënda për caktimin e masës së sigurisë. Seanca në ngarkim të tij pritet të zhvillohet në ditët në vijim.
Aktualisht, Stojani po mbahet në Burgun e Korçës, rreth në të cilin është arrestuar për akuzën e “vjedhjes”. Sipas Prokurorisë, Saleo Stojani akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj policit Roland Likaj, në bashkëpunim. Gjatë pyetjes në polici për llogari të hetimeve ndaj ngjarjes së ekzekutimit të policit Roland Likaj, Stojani përjashtoi veten e tij nga përgjegjësia. “Për vrasjen, unë nuk kam “gisht në këtë punë. Faji im i vetëm është se nuk tregova në polici, pasi e mora vesh se çfarë kishte ndodhur dhe për këtë unë mund të akuzohem vetëm për ‘moskallëzim krimi’, dhe jo bashkëpunëtor në vrasje”, është shprehur Stojani. Qindra vjedhje të kryera në Tiranë, Gjirokastër, Vlorë e qytete të tjera të mëdha të vendit mbajnë firmën e tij. Por, për shkak të moshës së mitur deri para pak kohësh, ai “ia ka hedhur lehtë” me drejtësinë. ar.ba
Armand Bajrami
© Panorama.al











