Vrasja e inxhinierit rus të centralit bërthamor, Moska hakmerret dhe bombardon Ukrainën, të paktën 3 të vdekur!

Jul 16, 2026 | 18:18

Të paktën tre persona janë vrarë nga bombardimet ruse në Zaporizhia, në juglindje të Ukrainës, tha sot guvernatori rajonal Ivan Fedorov.

ukraine

Ai shpjegoi në platformën Telegram se forcat ruse goditën një lagje të qytetit me tre bomba të drejtuara, duke shkatërruar disa shtëpi. Ai ndau foto që tregonin ndërtesa që digjeshin dhe punonjës shpëtimi që punonin në rrënoja.

Ndërkohë, Kievi sot hodhi poshtë si “të pabaza” akuzat e Moskës për përfshirjen e Ukrainës në sulmin që vrau inxhinierin kryesor të centralit bërthamor Zaporizhia të kontrolluar nga Rusia.

Ministria e Jashtme ukrainase theksoi në një deklaratë se “nuk ka konfirmim të versionit rus nga burime të pavarura” dhe “informacioni nga forcat pushtuese ruse nuk mund të konsiderohet i besueshëm”. Ajo shtoi se Rusia po përpiqet të frikësojë bashkësinë ndërkombëtare me kërcënimin e një aksidenti bërthamor.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dënoi sulmin, të cilin Rusia ia atribuon Ukrainës. Shefi i IAEA-s, Rafael Grossi, foli për një “sulm të papranueshëm ndaj centralit bërthamor dhe menaxhimit të tij” dhe një “kërcënim serioz për sigurinë bërthamore”, duke përsëritur thirrjen e tij për një ndërprerje të menjëhershme të të gjitha sulmeve ndaj ose pranë objekteve bërthamore dhe personelit të tyre.

Të mërkurën, kreu i agjencisë ruse të energjisë atomike Rosatom, Alexei Likhachev, njoftoi se një dron ukrainas kishte goditur një makinë shërbimi midis termocentralit bërthamor Zaporizhia dhe qytetit të Enerkhoddar, duke vrarë inxhinierin kryesor Alexander Yakovlev dhe një shofer.

Kremlini kishte akuzuar Kievin për përshkallëzimin e veprimeve “terroriste” kundër termocentralit bërthamor, të cilin forcat ruse e sekuestruan në mars të vitit 2022, disa ditë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës.

© Panorama.al

Te lidhura