Vranë pas tradhtisë, pranga çiftit

Apr 26, 2011 | 11:31
Dogana e Qafë-Thanës, ku u bë arrestimi i çiftit

Vranë pas tradhtisë bashkëshortore, arrestohen pas 22 vitesh në pikën kufitare të Qafë-Thanës në Pogradec.Shefqet Vreto, 60 vjeç dhe bashkëpunëtorja e tij, Manushaqe Elezi, 56 vjeçe, e cila ka qenë gruaja e viktimës, u prangosën pasi ishin arratisur nga burgu në vitin 1997.
Burime të policisë bënë të ditur se ngjarja për të cilën akuzohet çifti ka ndodhur në vitin 1989, ku në bashkëpunim ata kanë vrarë shtetasin Bashkim Elezi, nga fshati Dragot i Belshit në Elbasan. Pas hetimit të kryer asokohe rezultoi se autorë të vrasjes ishin Shefqet Vreto nga Devolli dhe bashkëshortja e viktimës, Manushaqe Elezi. Kjo e fundit rezultoi se në atë kohë kishte filluar një lidhje intime me personin që e përfshiu në vrasjen e të shoqit. Sipas policisë, ka qenë një punë intensive, e shoqëruar edhe me metoda speciale hetimi, ajo që ka çuar në arrestimin e dy autorëve të këtij krimi të hershëm. Mësohet se të akuzuarit për “vrasje me dashje në bashkëpunim”, Shefqet Vreto dhe gruaja me të cilën ai bashkëjetoi në vitet pas vrasjes së burrit të saj, Manushaqe Elezi, po vinin nga Selaniku në Shqipëri nëpërmjet doganës së Qafë-Thanës. Sipas të dhënave rezulton se ata kanë hyrë edhe më parë në Shqipëri, por nuk janë identifikuar nëpërmjet sistemit TIMS, pasi përdornin emra të rremë. Madje, me një identitet të rremë janë fshehur dhe kanë qëndruar në Greqi për vite me radhë, duke punuar si emigrantë në qytetin e Selanikut. Për vrasjen e kryer në bashkëpunim në vitin 1989 mësohet se ata ishin dënuar me 25 vjet heqje lirie Vreto dhe gruaja me 20 vjet burg. Ata kanë vuajtur dënimin deri në vitin 1997, kohë kur janë arratisur, në kohërat e trazirave. Duke qenë se nuk e kishin përfunduar dënimin, ata janë konsideruar nga policia si persona në kërkim. Që nga viti 1997, kur u larguan nga vendi i vuajtjes së dënimit, Shefqet Vreto dhe Manushaqe Elezi (mes të cilëve kishte filluar marrëdhënia në bashkëjetesë që në kohën kur vranë bashkëshortin e saj), jetonin në Selanik duke përdorur dokumente të rreme identifikimi. Tashmë, Shefqet Vreto, në moshën 60-vjeçare dhe bashkëpunëtorja e tij e njëkohësisht gruaja e tij, Manushaqe Elezi, 56 vjeçe, janë arrestuar për të kryer pjesën e mbetur të burgut. Policia nuk bëri të ditur nëse ata do të akuzohen për ndonjë tjetër vepër penale për shkak të largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit, përveç asaj për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim, për të cilën Gjykata e rrethit të Elbasanit, në vitin 1990 i ka dënuar me 25 dhe 20 vjet burg.

 

POGRADEC/ GEZIM ASHIMI

© Panorama.al

Te lidhura