Volfarth: Nuk ka vend për dhunë

Apr 6, 2011 | 10:02

“Forumi Civil 2010” i bëri apel politikës të zhvillojë një fushatë sa më qytetare dhe të mos shohë marrjen apo mba-jtjen e pushtetit si qëllim të saj.Drejtues të këtij forumi janë dy ish-presidentët, Alfred Moisu dhe Rexhep Meidani. Në këtë tryezë merrnin pjesë dhe ambasadori holadez në Tiranë, Van Den Dool, si dhe ambasadorja britanike, Fiona Mekullam. I pranishëm në këtë tryezë, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfart, u kërkoi partive të angazhohen maksimalisht në këto zgjedhje, duke zbatuar Kodin aktual Zgjedhor, pa mundur bërjen e ndryshimeve në të. “Partitë duhet t’i përmbahen lojës së ndershme dhe Kodit Zgjedhor. Në fushatë zgjedhore ka vend vetëm për argumente dhe asgjë tjetër. Partitë duhet të shpalosin argumentet e tyre dhe, veçanërisht, kjo do të thotë se nuk ka vend për dhunë. Sot, një muaj para zgjedhjeve, është më mirë të përdoren rregullat ekzistuese për të bërë zgjedhjet, të angazhohen njerëz të trajnuar dhe me dëshirë dhe vullnet të mirë për politikën. Unë pres zgjedhje të ndershme dhe të përdoren tone civile gjatë fushatës”, u shpreh ambasadori Volfart. Duke folur për ndryshimet e mundshme në Kodin Zgjedhor, Volfart tha se ato duhet të përfshijnë një reformë të plotë zgjedhore pas zgjedhjeve të 8 majit. “Zgjedhjet e përgjithshme janë në 2013-n dhe do të kemi kohë që pas 8 majit të bëhen ndryshimet e duhura dhe një reformë e plotë zgjedhore. Shumë gjëra do të duhet të konsiderohen pas këtyre zgjedhjeve. Një vit para zgjedhjeve të përgjithshme duhet të kemi ndryshimet e duhura për ato zgjedhje. Pas 2009-s nuk u përdor si duhet koha për të bërë ndryshimet e kërkuara”, u shpreh Volfart. Ai i konsideron zgjedhjet e 8 majit si zgjedhje të pushtetit vendor në qendër të të cilave duhet të jenë projektet konkrete për qytetarët. Volfart kërkoi nga partitë të shpallin sa më shumë alternativa. “Votuesit duhet të presin nga partitë politike sa më shumë programe alternative, dhe kjo me fakte e jo fjalë në erë. Proceset zgjedhore duhet të jenë demokratike dhe humbësi duhet të pranojë rezultatin”, u shpreh ambasadori.
Moisiu
Ish-presidenti Moisiu shprehu shqetësimin lidhur me situatën politike në vend, ndërsa akuzoi partitë politike se luftojnë për pushtet. “E kam vështirë të besoj në angazhimet se zgjedhjet do të jenë të ndershme! Pse? Sepse deri sa te ne mbretëron lajtmotivi që ‘ta mbaj pushtetin me çdo kusht ose ta fitoj atë me çdo kusht’, atëherë nuk të jepet mundësia për të besuar asnjë përbetim mbi ndershmërinë e procesit zgjedhor. Ulja në tryezë e forcave politike, megjithëse e vonuar, sikur na dha njëfarë shprese, por zhvillimi i tryezës tregoi se asgjë nuk ka lëvizur në mentalitetin e politikës shqiptare”, u shpreh Moisiu. Forumi propozoi disa rekomandime ku partitë të angazhohen për një fushatë qytetare dhe nxitje të një procesi ligjor e të ndershëm zgjedhor.

Rekomandimet e Forumit Civil 2010

Angazhimi i partive politike, i kandidatëve dhe veprimtarëve politikë për të bashkëpunuar dhe mbështetur plotësisht organet dhe administratën zgjedhore.

Angazhimi i aktorëve politikë për të treguar kujdes në caktimin e përfaqësuesve të tyre në organet zgjedhore, për t’u përfaqësuar vetëm nga individë me integritet moral, profesionistë që do t’i përmbahen dhe zbatojnë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore që rregullojnë zhvillimin e zgjedhjeve.

Angazhimi për përdorimin e një gjuhe civile duke shmangur akuzat apo fjalorin irritues e diskreditues për forcat politike e individët përfaqësues të tyre.

Mbrojtja e privatësisë së individëve të përfshirë në fushatën zgjedhore duke u angazhuar për të mos përdorur artikulime që synojnë cenimin e imazhit nëpërmjet trajtimit të temave private e të familjes, pa lidhje me politikën zgjedhore.

Angazhimi për të denoncuar dhe për t’u distancuar nga çdo formë e përdorimit të pushtetit për interesa të forcave politike, si dhe marrja e masave konkrete për të ofruar transparencë maksimale mbi përdorimin e infrastrukturës e të mirave publike, sa herë kjo të kërkohet.

Angazhimi për të mos përdorur fëmijët dhe të rinjtë që nuk kanë mbërritur në moshën për të votuar gjatë fushatës zgjedhore, me synim mbrojtjen e imazhit, integritetit e formimit të tyre.

Celibashi: Në zgjedhje pa rekomandimet e ODIHR-it

Ish-kreu i KQZ-së, Ilirian Celibashi, tha dje se është hera e parë që vendi hyn në zgjedhje pa plotësuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Është hera e parë e ndoshta e vetme që po
hyjmë në një proces zgjedhor të paparaprirë
nga ndryshime në ligjin zgjedhor. Në të gjitha zgjedhjet e shkuara proceset zgjedhore janë paraprirë nga ndryshime në ligjin zgjedhor, që kanë ardhur jo vetëm si rezultat i përmbushjes së rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, por edhe nevojës që ka dalë për të kryer këto reforma bazuar në problematikat e vërejtura. Në këtë mënyrë kemi krijuar një pretekst që humbësi i këtyre zgjedhjeve, nesër apo pasnesër, të dalë dhe të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve, ose të mos e pranojë fare”, u shpreh Celibashi.

 

Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura