Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, tha sot në emisionin “Kjo javë” të “News 24”, se rruga e vetme për të rrëzuar qeverinë e zhytur në skandale abuzive korrupsioni, është përballja dhe protestat.
Ajo argumentoi se zv/kryeministrja Belinda Balluku jo vetëm është e përfshirë në afera korruptive, por gjithashtu ka kryesuar krimin elektoral të 11 majit me sistemin e patronazhimit dhe të AKSHI-t, si dhe me lidhjet e bandave kriminale në Fier.
Vokshi nënvizoi se në çdo vend tjetër të botës zv/kryeministrja apo qeveria do ishte dorëhequr përballë këtyre skandaleve. Për të, këto janë orët e fundit të qeverisë, që po i jep vetes edhe pak më shumë oksigjen.
“Çdo protestë, duhet të shkojmë përtej numrave, është akti i duhur për t’u bërë ndaj këtij regjimi. PD që pas zgjedhjeve të 11 majit ka denoncuar dhunimin dhe vjedhjen e zgjedhjeve, e konfirmuar edhe nga raporti i OSBE-ODIHR-it, kemi publikuar edhe libër për masakrën zgjedhore. Nuk mban më situata, pas çdo Foltoreje që është organizuar, sepse ne nuk jemi dëgjuar, as mocione, as interpelanca, as e drejtë fjale në kaq seanca plenare në Kuvend dhe deri te programi qeverisës që e mbyllën me 28 minuta, por Rama vazhdon t’i japi edhe pak oksigjen vetes për të qeverisur edhe pak ditë”, tha ligjvënësja demokrate.
Vokshi shpjegoi se protesta në parlament u bë pikërisht për shkak të skandaleve të zv/kryeministres, për të cilën tani po shkruan edhe media botërore.
“Të gjithë e kanë të qartë se çfarë po ndodh, shikoni edhe mediat e huaja. Protestë në Parlament për korrupsionin e zv/kryeministres dhe qeveris së Ramës. Në çdo vend kushdo kryeministër do kishte dhënë dorëheqjen”, vijoi deputetja.
Vokshi komentoi edhe raportet e opozitës me SPAK-un dhe drejtësinë, diskursin e ndryshuar, por edhe kritikat që mbeten në fuqi. Ajo tha se SPAK vetëm tani po guxon të shkojë për herë të parë deri në nivelin më të lartë, afër kryeministrit.
“Për herë të parë një prokuror guxon që të shkojë afër kryeministrit dhe afër rrethit të Ramës. Nëse vazhdon kështu do i bien të gjithë gurët kryeministrit. Berisha e ka thënë se do mbështesë çdo prokuror, SPAK deri tani nuk ka guxuar të shkojë në kallëzimet ku ka pasur emrin Rama. Onkologjiku, krimi zgjedhor. Kemi dosje ku zv/kryeministra e thotë qartë se ky tender jepet me porosi të kryeministrit Rama, pra kryeministri ka ndikuar”, tha ajo.
Ligjvënësja akuzoi kolegen e mazhorancës dhe ministren Balluku se ka drejtuar një sistem patronazhimi monstruoz më 11 maj, deri në lidhje edhe me bandat kriminale.
“Do parë se si do shkojë ecuria e dosjeve penale, ka dhe të tjera, si dosja e AKSHI-t. Presim zhvillimet e mëtejshme të hetimeve. Ka pasur sistem patronazhimi monstruoz nga AKSHI dhe Belinda Balluku. Ajo kishte lidhje direkte me bandat kriminale në Fier. Ajo ka keqpërdorur të gjitha të dhënat personale të votuesve të marra nga AKSHI dhe ia ka dhënë zyrës së saj elektorale, patronazhistëve dhe bandave Çfarë është bërë për krimet elektorale nga SPAK? SPAK është ende në provë, por ne do mbështesim çdo hetim”, u shpreh Vokshi.
© Panorama.al












