Dr. Erion Piciri
Në dramën e tij ‘Rinoceronti’, Eugène Ionesco, paraqet metamorfozën e individit nën rrymat radikale dhe regjimet autokratike, si një shndërrim drejt jonjerëzores, si pasojë e humbjes së ndërgjegjes nën presion, relativizimit të vlerave dhe moralit të qytetërimit tonë dhe rritjes së simpatisë për format arkaike të dominimit të dhunshën të species më të fuqishme. Përkundrejt kësaj marrëzie kolektive që i kap ngadalë thuajse të gjithë, Ionesco zbulon një personazh, që ndonëse ndjehet i mjerë në vetminë e tij, vendos t’i rezistojë kapitullimit, i vetëdijshëm se ‘është njeriu i fundit dhe i tillë do të mbetet deri në fund’.1 Ka njerëz që nuk thyhen sepse reflektojnë mbi thelbin e qënësisë së tyre, sikurse të tjerë që i zë poshtë nevoja apo mungesa e vetëdijes, humbasin në rrekjen drejt mbijetesës apo në ngopjen emocionale që u japin liderët karizmatikë dhe të qënit pjesë e formacioneve dominuese mbi shoqëritë. Ekziston një kurth ngjarjesh, rrethanash dhe ëndërrimesh për sukses shoqëror, që i bën një pjesë të intelektualëve të humbasin udhën e arsyes e të shkojnë mbas tufës dhe bariut.
Kërkon personalitet të fortë dhe sistem të konsoliduar vlerash t’i rezistosh presionit të autokracisë, joshjes për t’u ngjitur dhe përfituar duke shkelur mbi pjesën tjetër të shoqërisë, t’i qëndrosh furtunës populiste kur marrëzia kolektive është në modë dhe ndëshkon kundërshtitë, të ngrihesh e të luftosh për të ndaluar deformimin kulturor dhe kontribuar për një klimë ku individit t’i krijohen kushte për një jetë me principe, meritë dhe dinjitet. Përgjatë shekullit të fundit të shumta kanë qënë dhe janë autokracitë, por edhe shembujt nga bota kulturore, intelektuale dhe politike, ku njerëz me kurajo civile, përkundrejt zvarritjes masive, të mos i gjunjëzohen regjimeve.
Czeslaw Milosz ishte njëri prej tyre. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë në Poloninë komuniste që iu nënshtruan regjimit, ai nuk zgjodhi kompromentimin. Ndonëse punoi fillimisht me pushtetarët e rinj si diplomat, sapo njohu prirjet dhe drejtimin ku po e çonin vendin, mori rrugën e panjohur e të vështirë të emigrimit, me plot sfida pune e jete, fillimisht në Francë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara, ku bëri publike qëndrimet e tij mbi sundimin komunist të shoqërisë. Jeta e shpërbleu me marrjen e çmimit Nobel për letërsi në 1980-ën. Aty ai do sillte edhe një herë në vëmendje gjendjen e lirisë për të pasqyruar situatën nën autoritarizëm, modifikimin e gjuhës për të mos përshkruar pjesë të realitetit, një konsensus kolektiv për të zgjedhur heshtjen e ku një thënie e së vërtetës do oshëtinte si një e shtënë arme.2
Disa njerëz kanë pasur guximin në diktatura apo autokraci të ngrenë alarmin, t’i qëndrojnë dhe kundërvihen represionit duke paguar kosto të larta personale. Václav Havel ishte një tjetër rast i lartësimit të qënies njerëzore. Ai u bë zëri i ndërgjegjes kombëtare, busulla morale në kohën e paqartësisë kolektive, intelektuali që bashkë me disa të tjerë nuk kërkoi një vend të privilegjuar në radhët e Partisë Komuniste Çekosllovake, nuk iu nënshtrua represionit në rritje të regjimit dhe ‘modelit aziatik të komunizmit’ që po instalohej në vend mbas 1968-ës, sikurse do ta etiketonte edhe vetë në ato vite3. Ai zgjodhi rezistencën, të ishte zëdhënës i të drejtave të njerëzve të pafuqishëm, mbi të cilët rëndonte ashpërsia e diktaturës, aktivitet të cilin e pagoi me humbjen e lirisë disa herë. Në ato vite kur nënshtrimi ishte masiv, të kritikoje në koncept modelin totalitarist të pushtetit ishte akt i kurajos së madhe civile dhe intelektuale, i vetësakrifikimit dhe heroizmit, që sikurse e rrëfen vetë Haveli, buronte nga vetëdija morale. Në një bashkëbisedim me shkrimtarin Karel Hvizd’ala në 1986-ën ai do e sqaronte këtë aspekt, se ndonëse disa e konsideronin njeri të fortë dhe të palëkundur që nuk nguronte të mbyllej burgjeve edhe kur i ofrohen alternativa shumë më joshëse, në realitet kurajua dhe këmbëngulja i buronte nga frika prej ndërgjegjes së tij, nga mundimi që ndjente se mos gabonte, e se në burgje e kapte paniku sa herë i thërrisnin me emër, por bindjet e bënin të përballonte çdo formë ndëshkimi’.4 Tek disa njerëz ndërgjegja harmonizohet dhe mbështetet lehtësisht tek karakteri për të vënë në lëvizje kurajon në mbrojtje të vlerave morale dhe njerëzve të sulmuar nga qeniet e paprincipta. Kjo është amalgama e formësimit të intelektualit, profesionistit dhe politikanit të vërtetë, që mbasi ka përzgjedhur me vetëdije një kulturë të shëndetshme principesh e modelesh, i ka brendësuar ato si mendësi themelore e qënësisë së tij, të patjetërsueshme nën presion apo interes, ka marrë forcën të reagojë ndaj devijacioneve, për ta mbajtur shoqërinë në rrugën e trashëgimisë morale, duke u kthyer në rigjenerues standardesh dhe udhërrëfyes frymëzues për të tjerët.
Bota demokratike i lartëson ato modele të kurajos dhe sakrificës që i shërbejnë me nder interesit publik dhe përçmon ato qenie të vogla që parazitojnë për përfitime të pandershme në funksionet publike. Rezistenca kolektive ndaj klimës mbytëse dhe kompromentuese të regjimeve, kur cënohet personaliteti dhe mundësitë, përbën obligim për inteligjencën e një vendi. Çdokush, sado i shteruar nga substanca njerëzore mund t’i japi vetes një shans për të rikuperuar personalitetin e humbur në furtunat e jetës. Më mirë një jetë me dinjitet se të fitosh bukën e helmuar të autokracive me turpin e bërjes palë në sundimin e shoqërive. Heshtja strategjike dhe fshehja kur mbajtja e një qëndrimi është vendimtar për mbrojtjen e lirisë dhe lirive përbën një akt të padenjë për njeriun.
Çmimin e heshtjes, konformizmit dhe përfitimit të të qenit pjesë e sistemit e paguajnë me jetët e tyre kurajozët që rriskojnë për të mirën e vendit. Në kujtimet e tij tek libri Patriot, aktivisti dhe opozitari rus Alexei Navalny do rrëfente se si regjimi autoritar i Vladimir Putin-it në Rusi kishte kultivuar bindjet tek zgjedhësit se ishin të pafuqishëm dhe nuk ia vlente të shkonin të votonin dhe se si ai me disa njerëz që e donin realisht Rusinë kishin vendosur të luftonin duke investiguar dhe bërë publike korrupsionin e niveleve të larta, se pavarësisht represionit e qindra bastisjeve të forcave të sigurisë, ai do vijonte në rrugën e tij. E arrestuan, e helmuan, e çuan në koma në luftë mes jetës dhe vdekjes, por kur po dilte nga spitali në Berlin (ku ishte bërë i mundur rikuperimi) do i thoshte Angela Merkel-it se ‘qëllimi i tij ishte të kthehej në Rusi sa më shpejt të ishte e mundur’. Kthimi do ishte fatal. Do niste me arrestimin, do vijonte me tre dënime të një pasnjëshme dhe një vdekje misterioze në një burg të sigurisësë lartë në Uralet Polare. I ndodhi pikërisht ajo që kishte paralajmëruar tek kujtimet e tij duke përmendur një metodologji pune të organeve të sigurisë: ‘hiq qafe njeriun dhe kështu zhduket edhe problemi’.5 Është fatkeqësi e kombeve sakrifikimi konstant i idealistëve me integritet për konsolidimin e pushtetit të klepto-autokratëve.
Rastet e mësipërme reflektojnë sakrificat madhore të personaliteteve të pathyeshme kur diktaturat janë instaluar, me kosto të lartë për veten dhe ku ndryshimi bëhet thuajse i pamundur. Për këtë, reagimi duhet të vijë qysh në krye të herës. Autokracitë janë si disa sëmundje që përparojnë ngadalë dhe pa u vënë re kapin me tentakulat e tyre hap pas hapi institucionet dhe njerëzit e rëndësishëm të vendit. Në ato kohë kur nuk janë përfshirë të gjithë në një sistem varësie, procesi mund të jetë i rikthyeshëm. Kur gjërat janë stabilizuar dhe secilit i është krijuar një rehati relative, rritet klientela e interesuar të mirëmbajë regjimin dhe t’i kundërvihet çdo ndryshimi. Intelektuali i pakapur në rrjetën e interesave dhe ambicies është thelbësor për zbardhjen e realitetit dhe shpjegimin e drejtë të sfidave të kohës. Reagimi i tyre është barrierë për përkeqësimin e klimës demokratike. I dituri kupton semiologjinë e degradimit të pushtetit, ka aftësinë të krahasojë momentet historike dhe analogjitë e situatave që në rrokullisjet e para drejt autokracisë dhe duhet t’i lajmërojë rreziqet që i kanosen shoqërisë. Gjithpushtetshmëria e një partie dhe arroganca e liderit, gjuha përbaltëse ndaj kritikëve dhe kundërshtarëve të regjimit, fitimi periodik e në rritje i zgjedhjeve dhe kleptokracia e gjeneralizuar, sikurse animi i aktorëve mediatikë dhe ekonomikë nga pushteti janë shenja të rrëshqitjes së vendeve drejt autoritarizmit. Kjo duhet t’i bëjë njerëzit vigjilentë dhe reagues në kohën e duhur. Një përballje në masë neutralizon gardën autokratike për të mos thelluar instalimin e regjimit dhe ndalon vendosjen e autokracisë totale. Me politikanë të pastër dhe kurajozë në parti dhe qeverisje, me profesionistë dhe intelektualë që nuk shesin mendjen dhe fjalën për të fryrë barkun e për t’u rehatuar në kolltuqet e shtetit, me të rinj që i gëzohen ende kurajos dhe pastërtisë së moshës, mund të ndalet procesi i autoritarizmit dhe vendi t’i rikthehet demokracisë.
Disa i vidhen edhe qëndresës më minimale, disa ndjehen të lehtësuar kur instalohet sundimi se e kanë të partisë së tyre. Të parit e politikës si tifozeri dhe si mjet ekzaltimi emocional, jo si racionalitet dhe përgjegjësi faktorizimi individual për të kontribuar në drejtimin e vendit, reflekton karakterin egoist e sipërfaqësor si qytetar dhe figurë publike. Nuk vlen partia sa rendi demokratik, nuk vlen fitimi i zgjedhjeve kur instalohet regjimi që kap individin, vendin dhe krijon një pushtet të pabalancuar, aq të fuqishëm sa mund të bëjë ç’të dojë me institucionet dhe jetën e gjithsecilit. Profesionisti, politikani apo intelektuali nuk duhet të legjitimojnë me peshën publike të personalitetit dhe reputacionit profesional një pushtet që cënon normat njerëzore dhe standardet demokratike, të bëhet pjesë e manipulimit publik për t’i gjetur strehë vetes e për të kapur përfitime nga pushteti.
Kudo ku është ndaluar autokracia ka qenë rrjedhojë e përballjes me fortësinë e institucioneve, që buron nga pathyeshmëria e personalitetit të atyre që i shërbejnë vendit. Kohë më parë edhe një vend me demokraci të konsoliduar u ndesh me tendencat e një pushtetari për të modifikuar rezultatin zgjedhor dhe nxitur trazira të dhunshme për të mbrojtur fronin. Funksionarët e partisë nuk iu përgjigjën thirrjes për të ndërhyrë në zgjedhje, por bënë detyrën me përkushtim dhe ndershmëri ndaj kombit, ligjit dhe demokracisë. Anëtarët e lartë të ekzekutivit nuk iu bindën urdhërit të kreut të tyre për të ndaluar transferimin e pushtetit dhe dhuna e nxitur ndaj institucioneve nuk u mor në mbrotje nga partia, por u trajtua si shkelje e ligjit dhe dhunuese e rendit kushtetues nga e gjithë politika.
Në librin e tyre ‘Si vdesin demokracitë’, Steven Levitsky dhe Daniel Ziblat tregojnë se si vala popullore kishte nxjerrë në Amerikë, herë pas here në shekullin e fundit gjithfarësoj demagogësh me tendenca populiste dhe autoritare, me qëndrime të forta nacionaliste dhe raciste (si Charles Coughlin, Huey Long, Joseph McCarthy apo George Wallace), të cilët u ndalën në rrugën e tyre drejt majave të pushtetit, jo nga bindjet demokratike të shoqërisë, por nga vigjilenca e rojtarëve të demokracisë të partive historike.6 Bashkimi vullnetar rreth një partie politike bëhet duke respektuar norma e jo si në një grupazh okult ku funksionon urdhri, presioni, fitimi me çdo kusht i klanit, i aleancës së heshtur për të gjunjëzuar shtetin dhe shoqërinë. Mbi partinë janë ligjet, mbi liderat qëndron vendi dhe mbi aleancat pannacionale qëndrojnë vlerat universale.
Qëndresa ndaj autokracisë është një përballje e përhershme, e cila duhet shtrirë edhe tek kultura dhe panteoni i vlerave kombëtare dhe universale. Së fundmi, deputeti Silviu Vexler nga minoriteti hebraik në Rumani mori me kurajo iniciativën e një projekt-ligji që dënonte retorikën dhe pjesëmarrjen në organizata radikale, sikurse dhe ndalimin e busteve dhe emërtimet e rrugëve apo parqeve me emrat e personave të përfshirë në genocid apo në udhëheqjen e lëvizjeve fashiste, raciste apo ksenofobe. Nuk ishte e lehtë. Të iniciosh si minoritar një ligj që u godet radikalëve ikonat e besimit të tyre ideologjik dhe sanksionon në heqje lirie retorikën radikale përbën një akt kurajoje qytetare dhe politike. Kur projekt-ligji po kalonte në parlament shpërtheu në rrjetet sociale një furtunë antisemite nga rrymat me qëndrime nacionaliste dhe mbështetësit e tyre, deri në kërcënime me jetë ndaj propozuesit.7 Vexler nuk u intimidua, ligji u votua nga të moderuarit e politikës, kaloi testin e Gjykatës Kushtetuese dhe po jep efektet e veta. Nën frymën e tij busti i Octavian Goga-s, një poet i njohur dhe kryeministër i Rumanisë në vitet 1937-38, i cili kishte mbajtur qëndrime publike dhe akte qeverisëse antisemite në periudhën interbelike, u hoq nga hapësira publike.8, 9 Ligje të ngjashme duhet të ndërmerren edhe në vende ku kanë qenë të forta lëvizjet e ngjashme si ato të nazizmit, fashizmit dhe komunizmit.
Ionesco ndjente trishtim kur shikonte intelektualët e kohës së tij, kolegë të letrave dhe anëtarë të katedrave universitare teksa rreshtoheshin me fashizmin. Midis tyre edhe një prozator i njohur që u përshi me entuziazëm në Lëvizjen Legjionare, një lloj fashizmi rumun interbelik, e vuri intelektualitetin dhe ekspertizën profesionale në funksion të propagandës antisemite, me admirim për Musolinin dhe pjesëmarrje aktive krah legjionarëve. Nga fundi i luftës kur po shihej humbja, i iku frontit, e la ekstremin e djathtë duke u bërë palë në vendin e tij të origjinës me ekstremin e majtë, e duke shkruar poezi për regjimin e ri komunist. Sot i është ngritur një bust në vendlindje dhe njerëzit i përulen me respekt. Qëndron krah për krah me të tjerë që hodhën themelet e komunizmit, shkelën të drejtat e njeriut, persekutuan dhe shkatërruan familje, individë dhe karriera. Ata që i rezistuan me stoicizëm diktaturave janë harruar. Kështu padrejtësitë trashëgohen dhe bashkë me të modelet e vasalitetit me regjimet. Ka vende që nënshtrimin intelektual e kanë të nderuar dhe kujdesen që kjo kulturë të kultivohet tek më të rinjtë duke i hapur rrugën një seri regjimesh të mëvonshme. Këto deformime shoqërore nuk mund të lihen pa marrje përgjegjësie. Nuk mjafton vetëm largimi i autokratëve, përsa kohë shërbyesit e tyre zënë vend nderi në hapësirën publike. Shenjtërimi i tyre është thirrje për përsëritje të historisë, frymëzim për lëvizjet e reja e për ringjallje të formave të vjetra të cënimit të lirive dhe sundimit mbi shoqëritë.
Me guxim njeriu i përgjegjshëm duhet ta luftojë autokracinë kur shfaqet, instalohet por dhe kur ajo ka lëshuar rrënjë në kulturën dhe simbolet kombëtare. Personaliteti i intelektualit autentik del në evidencë kur nuk bën kompromis me të keqen dhe bën pjesën e tij të përgjegjësisë sociale e politike me qëndrime dhe veprime kundër uzurpuesve të pushtetit, për ndërtimin e një vendi me hapësira lirie dhe zhvillimi për të gjithë. Vendet që pjesën më të madhe të historisë së tyre e kanë kaluar nën sundim, përulje dhe bashkëpunim me uzurpuesit e sovranitetit të tyre i kanë ekzistenciale modelet e qëndresës morale dhe demokratike, aksionin kolektiv në kufizimin e pushtetit të klaneve autokratike dhe zgjerimit të lirive dhe fuqisë për një masë sa më heterogjene të shoqërisë.
© Panorama.al












